Tradita që po kthehet në tragjedi, 43 djem kanë humbur jetën në ceremonitë e rrethprerjes në Afrikën e Jugut
Në Afrikën e Jugut, një traditë shekullore po përballet me një krizë të rëndë, pasi ceremonitë tradicionale të rrethprerjes kanë shkaktuar dhjetëra viktima dhe qindra raste të rënda dëmtimesh.
Rituali, i njohur si “Ulwaluko”, zhvillohet dy herë në vit dhe synon të shënojë kalimin e djemve drejt moshës së burrërisë. Të rinjtë dërgohen në kampe të posaçme, ku qëndrojnë për rreth tre javë, larg familjeve, dhe u mësohen tradita, histori dhe rregulla të komunitetit.
Por problemi lind kur ceremonia zhvillohet në shkolla ilegale, ku ndërhyrjet kryhen nga persona të patrajnuar. Në disa raste janë përdorur mjete të papërshtatshme dhe të pasterilizuara, duke shkaktuar infeksione të rënda, gangrenë, sepsë dhe dehidratim.
Vetëm gjatë sezonit të këtij viti, 43 djem raportohet se kanë humbur jetën, ndërsa dhjetëra të tjerë kanë pësuar dëmtime të rënda. Një raport i porositur nga qeveria dokumentoi 322 vdekje mes viteve 2021 dhe 2024, së bashku me mijëra shtrime në spital dhe raste amputimi.
Autoritetet fajësojnë veçanërisht rrjetet kriminale që operojnë shkolla të paligjshme të iniciimit. Disa prej tyre akuzohen edhe për rrëmbimin e djemve, përfshirë të mitur, dhe më pas kërkimin e parave nga familjet për lirimin e tyre.
Qeveria e Afrikës së Jugut ka ndërmarrë masa për goditjen e këtyre kampeve. Shkollat e paregjistruara janë të paligjshme dhe kirurgët tradicionalë duhet të jenë të trajnuar e të kualifikuar. Policia ka mbyllur dhjetëra qendra dhe ka arrestuar persona të dyshuar për përfshirje në aktivitetet kriminale.
Megjithatë, Ulwaluko mbetet një ritual jashtëzakonisht i rëndësishëm për shumë komunitete. Ata që nuk e kryejnë ceremoninë mund të përballen me presion të madh shoqëror dhe të konsiderohen ende “djem”, duke u përjashtuar nga disa aktivitete dhe vendimmarrje tradicionale.
Ministri i Çështjeve Tradicionale, Velenkosini Hlabisa, ka bërë thirrje për respektimin e traditës, por edhe për mbrojtjen e jetës dhe dinjitetit të të rinjve.
“Respekti për traditën duhet të shkojë krah për krah me respektin për ligjin dhe të drejtën kushtetuese të çdo iniciati për jetë, dinjitet dhe siguri”, është shprehur ai.
Për autoritetet, sfida tashmë është të ruajnë një traditë të lashtë kulturore, pa lejuar që ajo të përdoret nga rrjete kriminale që vënë në rrezik jetën e fëmijëve dhe të rinjve. /Telegrafi/


