Togeri i Policisë së Kosovës, Bojan Jevtiq pranon fajësinë për spiunazh
Togeri i Policisë së Kosovës i akuzuar për spiunazh, Bojan Jevtiq ka lidhur marrëveshje për pranim të fajësisë me Prokurorinë Speciale.
Kështu bëri të ditur gjyqtari Kushtrim Shyti, i cili tha se seanca që mbahet sot në Gjykatën Themelore, është seancë dëgjimore sa i përket shqyrtimit të marrëveshjes së fajësisë.
Shyti tha se aprovohet marrëveshja për pranimin e fajësisë e lidhur në mes Prokurorisë Speciale të Kosovës dhe me pëlqimin e të pandehurit.
“Pasi që gjykata u bind se janë përmbushur kushtet ligjore nga neni 230 paragrafi 70 dhe në pajtim me nenin 230 paragrafi 20 të Kodit të Procedurës Penale merr këtë aktvendim: Aprovohet marrëveshja për pranimin e fajësisë e lidhur në mes Prokurorisë Speciale të Kosovës në prani dhe me pëlqimin e të pandehurit. Marrëveshja për pranim të fajësisë vendoset në shtesat e lëndës dhe konsiderohet pjesë përbërëse e lëndës”, ka thënë Shyti.
Jevtiq, i cili është suspenduar nga Policia, në bazë të aktakuzës i ka dërguar Serbisë dokumente konfidenciale e sekrete, duke i dorëzuar nëpërmjet platformave të komunikimit me internet, thuhet në aktakuzën e Prokurorisë Speciale.
Në të shkruhet se i akuzuari ia ka dërguar ato Agjencisë për Siguri dhe Inteligjencë të Serbisë (BIA) dhe se me këtë veprim është rrezikuar rëndë siguria e Kosovës, për çka prokuroria ka kërkuar që dënimi ndaj tij të jetë konform paragrafit 6 të nenit 124 të Kodit Penal, që parasheh dënim nga 10 vjet deri në burgim të përjetshëm.
“Nga një periudhë kohore e pacaktuar e deri më datë 17.07.2025, respektivisht deri në momentin e arrestimit të tij, i pandehuri [e redaktuar], në cilësinë e zyrtarit policor me gradën toger dhe në detyrën e Shefit të Sektorit të Operativës në Stacionin Policor Kufitar [e redaktuar], me dashje dhe në mënyrë të vazhdueshme, ka mbledhur, siguruar dhe transmetuar informacione dhe dokumente zyrtare të klasifikuara si ‘Konfidencial’ dhe ‘Sekret’, që ndërlidhen me sigurinë dhe rendin kushtetues të Republikës së Kosovës”, thuhet në aktakuzën për Bojan Jevtiqin.
Sipas Prokurorisë Speciale, Jevtiqi i ka dërguar BIA-s informata si shkak i të cilave janë rrezikuar jetët e zyrtarëve të institucioneve të sigurisë së Kosovës e edhe qytetarëve.
Në aktakuzë theksohet se aplikacionet e mesazheve WhatsApp dhe Telegram janë përdorur për t’i transmetuar sekretet shtetërore të zyrtari i BIA-s, me nofkën “Qira”, e me të cilin është takuar edhe fizikisht në disa raste në Beograd.
“Me këto veprime, i pandehuri edhe pse në dijeni për natyrën e klasifikuar të dokumenteve dhe pasojat e mundshme, ka cenuar rëndë sigurinë kombëtare, rendin kushtetues dhe funksionimin e institucioneve të Republikës së Kosovës, si dhe ka rrezikuar drejtpërdrejt jetën dhe sigurinë e zyrtarëve shtetërorë dhe qytetarëve të saj”, thuhet në aktakuzë.
Për spiunazh në Kosovë është dënuar ish-polici i Kosovës, Aleksandar Vlajiq me pranim fajësie vitin e kaluar. Sivjet në shkallë të parë është dënuar edhe zyrtarja e OSBE-së, Jelena Gjukanoviq. Ajo është dënuar me gjashtë vjet burgim.
E gjykimi i Muharrem Qerimit dhe Bedri Shabanit e as ai i Hysri Selimit. /Telegrafi/


