Please enter at least 3 characters.

Themeluesit e Partisë Komuniste të Shqipërisë

Ilustrim

Nga: Kastriot Dervishi

Gjatë ditëve kur zhvilloheshin bisedime për formimin e partisë, Dushani [Mugosha] e Miladini [Popoviqi] sugjeruan demonstratën e 28 tetorit 1941. Ata propozuan që të fillohej puna nga “sabotimet, diversionet dhe likuidimi i policëve e spiunëve” etj. Terrori u pa si mjet i lidhur me thelbin e ekzistencës së Partisë Komuniste.

Në gjysmën e dytë të tetorit 1941, dy jugosllavët zhvilluan takime intensive me komunistët e Shqipërisë, me tri grupet e njohura dhe partinë e Andrea Zisit. Kjo u fundit u la jashtë procesit sepse thoshte se ishin parti e të tjerët duhej të vinin tek ata. Mbledhja e grupeve u vendos që të bëhej më 8 nëntor 1941. I zoti i shtëpisë (marrë me qira) ku do bëhej mbledhja, Xhemal Haxhicani, nëpunës, i takonte grupit të Shkodrës (djalin ia dënuan komunistët pas lufte dhe i vdiq në burgun e Burrelit).

Mbledhja e themelimit të Partisë Komuniste Shqiptare, u zhvillua më 8-14 nëntor 1941.

Rezolutën që ishte platforma politike dhe thirrjen drejtuar popullit i shkroi Miladin Popoviqi.

Ishte rënë dakord që pjesëmarrës në mbledhje do të ishin nga gjashtë anëtarë të grupeve. Por, dy grupe nuk u paraqitën të plotë ditën e parë. Kësisoj, i vetmi grup me anëtarësi të plotë ishte ai i Korçës. Pra, 15 veta themeluan PKSh-në. Përbërja (referuar shënimeve nga procesverbali i mbledhjes) e delegatëve ishte kjo:

Grupi Komunist i Korçës:

1. Koço Tashko
2. Enver Hoxha
3. Pilo Peristeri
4. Koçi Xoxe
5. Sotir Vullkani
6. Sotir Lubonja

Grupi Komunist i të Rinjve:

1. Ramadan Çitaku
2. Anastas Lula
3. Sadik Premte
4. Elhami Nimani
5. Perlat Rexhepi
6. (Sadik Stavileci, ishte i sëmurë e nuk mori pjesë)

Grupi Komunist i Shkodrës:

1. Qemal Stafa
2. Vasil Shanto
3. Kristo Themelko
4. Tuk Jakova
5. (Sadik Bekteshi, nuk ka qenë ditën e parë)
6. (Fadil Hoxha, nuk ka qenë ditën e parë)

Nga 15 veta, 9 patën probleme, u cilësuan armiq: Koço Tashko, Koçi Xoxe, Anastas Lula, Sadik Premte dhe Tuk Jakova. U dënuan me vdekje: Koçi Xoxe dhe Anastas Lula. Patën dënime në parti: Sotir Vullkani, Ramadan Çitaku, Kristo Themelko. Nuk u vlerësua Elhami Nimani. Pra, në shumicë, themeluesit nuk dolën burra të mirë.

Mbledhja nuk zgjodhi kryetar partie, por një komitet të përkohshëm me shtatë veta, ku Enver Hoxha pati në dorë financat. Partia u shtri fillimisht në 8 nga 10 qarqe gjithsej. Miladini organizoi partinë, ndërsa Dushani anën ushtarake të saj.