Thellohet skandali i prostitucionit në Serie A – mediat italiane zbulojnë emrat e shumë yjeve të përfshirë
Gazetat në Itali kanë identifikuar një listë lojtarësh, emrat e të cilëve janë përmendur në hetimin për një rrjet prostitucioni në Itali, por kanë konfirmuar se asnjëri prej tyre nuk është nën hetim për ndonjë veprimtari të paligjshme.
Një skandal shpërtheu më herët gjatë kësaj jave, kur katër persona u arrestuan në kuadër të një hetimi ndaj një kompanie eventesh me bazë në Milano, e cila dyshohet se ka shërbyer si mbulesë për një rrjet prostitucioni.
Raportohet se kompania u shiste individëve të pasur dhe me profil të lartë “evente luksoze”, të cilat përfshinin qëndrime në hotel, festa, eskortë dhe përdorimin e gazit “laughing gas”, i cili është i paligjshëm për përdorim rekreativ në Itali.
Sipas ligjit italian, akti i prostitucionit nuk është krim në vetvete, por përfitimi financiar nga fakti që dikush paguhet për marrëdhënie seksuale është vepër e dënueshme.
Eventet dyshohet se janë organizuar si në Milano, ashtu edhe në ishullin grek Mykonos, ndërsa raportimet në Itali pretendojnë se rreth 70 futbollistë profesionistë, përfshirë disa nga Milani, Interi, Juventusi dhe Hellas Verona, kanë qenë të përfshirë në një formë apo tjetër.
Raportimet e së mërkurës pohojnë se në dosjen e Prokurorisë është shfaqur një listë me rreth 65 mbiemra futbollistësh, përfshirë Cancellieri, Giroud, Hakimi, Huijsen, Maldini, Arthur Melo, Mota Carvalho, Niasse, Petagna, Ranocchia, Ruggeri, Skriniar, Vicario, Zortea dhe disa të tjerë.
Emra të tjerë janë përmendur të plotë, si Soualiho Meite, Nuno Tavares dhe Carlos Augusto.
Corriere dello Sport dhe Tuttosport raportojnë se në dosje janë përmendur edhe emrat si Bastoni dhe Leao, Vlahovic, Bellanova, Calafiori, Bisseck, Pinamonti, Ricci, Scamacca dhe shumë të tjerë./Telegrafi/


