Thaçi: Vendimet për të luajtur për Kosovën janë individuale
Kryeministri Hashim Thaçi në emisionin Info Magazine të Klan Kosova e ka quajtur këtë ditë historike (ndeshjen Kosova- Haiti).
“Kjo është një ndeshje historike që jep mesazhin e fuqishëm që Kosova padrejtësisht ka qenë e izoluar ndërkombëtarisht në garat ndërkombëtare”, ka deklaruar Thaçi, sipas të cilit, kjo ndeshje do ta fuqizojë subjektivitetin ndërkombëtar të shtetit të Kosovës, duke shtuar se, me rëndësi është që përfaqësuesit e UEFA-s dhe FIFA-s ishin të impresionuar me organizimin e bërë në Kosovë.
“Shqipëria sonte do të luajë dhe shpresojmë që do të fitojë, kemi një qellim, një vizion, dhe jemi dy shtete sovrane. Disa debate që po bëhen janë te panevojshme, duhet të respektohen vendimet individuale të secilit, se ku dëshiron të luajë”, ka shtuar kryeministri.
Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, ka theksuar se kjo ndeshje ka një rëndësi të madhe, sepse për herë Kosova po luan një ndeshje zyrtare miqësore. Ajo ka thënë se shteti i ri ka shënuar arritje të mëdha në shumë fusha të jetës, dhe kjo ndeshje është një hap në anëtarësimin e Kosovës në FIFA.
“Kosova ka një energji dhe potencial te jashtëzakonshëm, kemi rini e cila ka pasion të madh për sportin. Kjo ndeshje do të jetë një sinjal i qartë për shtetet të cilat kanë doza të skepticizmit në raport me Kosovën”, ka deklaruar Jahjaga.
Ndërkohë, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në një prononcim për Telegrafi ka thënë se i ka pëlqyer përballja Kosova-Haiti dhe se organizimi ka qenë i mirë.
Ai është shprehur se kishte pritur fitore dhe të paktën një gol, megjithatë ka theksuar se ndjehet krenar me futbollistët që përfaqësuan Kosovën për herë të parë në një ndeshje të nivelit ndërkombëtar. /Telegrafi/


