Please enter at least 3 characters.

Tensione në Kuvend, Bajrami i shkon te ulësja Ahmetit - ndërhyn Haxhiu

Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit të Kosovës për energjinë elektrike është shoqëruar me tensione dhe përplasje të forta verbale mes deputetëve të pozitës dhe opozitës.

Deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, dhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Ejup Ahmeti, kanë shkëmbyer akuza të ndërsjella, duke e akuzuar njëri-tjetrin për përfshirje në “dallavere”.

Bajrami deklaroi se, sipas saj, “mafia energjetike” është e pranishme në qeverisjen aktuale, duke përmendur edhe emrin e deputetit Ahmeti.

“Mafia energjetike është fakt. Nuk jeni dalë me demantu asnjëherë, lidhjet e juaja me njerëz që janë të lidhur me tregtarë të energjisë janë fakte. Shefi i kabinetit të kryeministrit të Kosovës hap kompani për tregti të energjisë elektrike,” tha Bajrami.

Nga ana tjetër, Ahmeti i hodhi poshtë këto pretendime dhe akuzoi zyrtarë të LDK-së, përfshirë edhe kryetarin Lumir Abdixhiku.

“Kjo nuk është e vërtetë. Për çdo gjë të konsultoheni me kolegët tuaj nga LDK-ja… Baxhanaku i Lumir Abdixhikut, Besart Bajraktari, tregoni mirë qytetarëve sa tenderë i merr ky. Po ashtu kompania e babait të kryetarit Abdixhiku dhe gruaja e tij kanë themeluar kompani për tregtim të energjisë,” deklaroi Ahmeti.

Ai shtoi edhe akuza personale ndaj Bajramit, duke pretenduar se bashkëshorti i saj është pronar i një kompanie farmaceutike.

Pas kësaj, Bajrami i mohoi kategorikisht këto pretendime dhe sfidoi Ahmetin që t’i përsërisë jashtë Kuvendit.

“Kërkoj prej teje me dal para mediave në oborr të Kuvendit dhe me thënë këtë deklaratë që e the. As unë dhe as burri im dhe asnjë anëtar i familjes nuk ka lidhje me ndonjë kompani farmaceutike,” tha ajo.

Situata u tensionua më tej kur Bajrami iu afrua ulëses së Ahmetit, duke i kërkuar që debati të vazhdojë jashtë sallës plenare.

Në debat ndërhyri edhe kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila kërkoi disa herë qetësim të situatës. /Telegrafi/