Please enter at least 3 characters.

Tenjat po ju dëmtojnë rrobat? Këto metoda natyrale i largojnë menjëherë

Metodat natyrale për të luftuar tenjat nuk janë vetëm më të sigurta për shëndetin tuaj sesa mjetet kimike, por mund të jenë po aq efikase nëse përdoren siç duhet dhe me rregull

Tenjat në dollap mund të jenë një makth i vërtetë. Këta insekte të vegjël nuk janë vetëm të bezdisshëm, ato mund të shkaktojnë dëm serioz në rrobat tuaja të preferuara, duke lënë vrima të vogla dhe një erë të pakëndshme pas vetes. Fatmirësisht, ekzistojnë shumë metoda natyrale që mund ta zgjidhin këtë problem pa përdorimin e kimikateve të dëmshme.

Para se të filloni me zgjidhjen e problemit, është e rëndësishme të njihni shenjat e pranisë së tenjave në dollapin tuaj. Tenjat e rritura të tekstilit janë flutura të vogla, me ngjyrë të verdhë-kafe, të gjata rreth 1 deri në 1,5 cm. Megjithatë, dëmin e vërtetë nuk e shkaktojnë tenjat e rritura, por larvat e tyre, të cilat ushqehen me fibra natyrale si leshi, mëndafshi, gëzofi dhe pambuku. Shenjat përfshijnë vrima të parregullta në rroba, sidomos në xhemperë dhe kostume leshi, tuba ose tunele mëndafshi që ndërtojnë larvat gjatë ushqimit, si dhe mbetje në formë rëre, transmeton Telegrafi.

Livanda si mbrojtje klasike

Livanda është një mënyrë klasike dhe e njohur nga të gjithë për të larguar tenjat. Mbushni qese me lule të thara livande ose një pambuk të lagur me vaj esencial livande dhe vendoseni në dollap, sirtarë apo kuti me rroba që keni ruajtur për sezonin tjetër. Edhe pse për ne aroma e livandës është e këndshme, për tenjat dhe shumë insekte të tjera është shumë e padurueshme. Është e rëndësishme të kujdeseni që vaji esencial të mos vijë në kontakt direkt me rrobat për të shmangur njollat.

Druri i kedrit si largues natyral

Druri i kedrit prej kohësh është i njohur si largues natyral efikas për tenjat. Bli disa fletëza ose kube kedri dhe vendosi në dollapë, sirtarë apo vende të tjera ku keni vënë re praninë e tenjave. Me kalimin e kohës kedri humb aromën, e cila është pikërisht ajo që i largon tenjat, prandaj mund të përdorni vaj esencial kedri për të lyer kubet që kanë humbur erën ose për të spërkatur fletëzat e kedrit.

Barishte aromatike dhe erëza

Ekzistojnë shumë përbërës nga të cilët mund të përgatisni “qeska kundër tenjave”. Shembuj: rozmarina e tharë, gjethet e dafinës, anisi yllor, trumza ose shkopinjtë e kanellës. Bimët e thara si livanda, dafina, karafili, rozmarina dhe trumza thajini, copëtojini dhe vendosini në qese të tejdukshme që lejojnë ajrosjen, e më pas vendosini aty ku grumbullohen tenjat.

Nenexhiku si zgjidhje praktike

Nenexhiku është gjithashtu largues natyral efikas kundër tenjave. Vendosni një grusht gjethe të thara menteje në një qese ose shpërndajini në dollap mes rrobave. Edhe vaji esencial i nenexhikut është efektiv, hidhni disa pika në një pambuk dhe vendoseni në një qoshe të dollapit.

Kanella, aromë që i largon

Kanella ka një aromë të fortë që i largon tenjat, duke e mbrojtur veshjen tuaj për disa muaj, derisa aroma të zbehet. Vendosni shkopinj kanelle në qese të shpuara dhe futini mes rrobave, ose përdorni vaj esencial të kanellës të hedhur në një copë pambuku.

Zgjidhje kreative natyrale

Një nga mënyrat më interesante për të luftuar tenjat janë gështenjat. Tenjat e urrejnë aromën e tyre, prandaj gjatë një shëtitjeje në park në vjeshtë mund të mblidhni disa gështenja dhe t’i vendosni në fund të dollapit dhe komodinave. Një tjetër mjet kundër tenjave është portokalli me karafil. Merrni një portokall dhe ngulni karafil në lëkurë, mund të vendoset direkt në raftet e dollapit. Një alternativë është tharja e lëkurës së portokallit, copëtimi i saj dhe përzierja me disa karafil në një qese të vogël prej pëlhure.

Vajrat esencialë si mbrojtje moderne

Tenjat nuk e durojnë një sërë vajrash esencialë, si kedri, patchouli apo druri neem. Në një shishe me spërkatës hidhni ujë dhe shtoni disa pika vaj esencial, më pas spërkatni zonat më të rrezikuara. Nëse keni difuzer, lini që aroma e kedrit të përhapet në shtëpi, feromonet e kedrit largojnë jo vetëm tenjat, por edhe insekte të tjera.

Për një sprej kundër tenjave ju nevojitet: një lugë gjelle alkool, 30 pika vaj esencial livande dhe 1 decilitër ujë të distiluar. Përziejini me radhë në shishe, tundeni para përdorimit dhe spërkatni sipërfaqet e rafteve dhe dollapëve pas pastrimit.

Pastrimi dhe parandalimi

Mënyra më e mirë për të pasur një dollap pa tenja është parandalimi. Ajrosni rregullisht dollapin, tenjat nuk e duan qarkullimin e ajrit dhe dritën. Lani rrobat para se t’i ruani, sepse sa më të pastra të jenë, aq më pak shanse ka të shfaqen tenja. Mbajeni hapësirën të pastër, sepse pluhuri i tërheq. Tenjat gjithashtu tërhiqen nga djersa, njollat e ushqimit dhe lëngjet trupore, ndaj para se të ruani rrobat, sidomos ato që nuk i përdorni shpesh, sigurohuni që t’i keni larë ose pastruar kimikisht. /Telegrafi/