Please enter at least 3 characters.

Të qeshura pa fund në Këln, mbyllet me sukses edicioni i pestë i “Shqip Up Comedy Festival”

Me shumë humor dhe atmosferë fantastike, u mbyll me sukses edicioni i pestë i “Shqip Up Comedy Festival”, i cili këtë herë u mbajt për herë të parë në Këln të Gjermanisë.

Mbrëmja u karakterizua nga të qeshura të pandërprera dhe reagime të shumta nga publiku, që kishte mbushur sallën “Elzhof Kulturgut” për të ndjekur nga afër performancat e humoristëve të njohur shqiptarë.

Në skenë performuan Ernest Zymberi, Luan Comedy, Drilona, Avni Shkodra dhe Gent Hazizi, të cilët sollën një program të pasur me batuta dhe situata nga përditshmëria që u pritën me duartrokitje të vazhdueshme.

Ky edicion shënoi një moment të rëndësishëm për festivalin, pasi për herë të parë u organizua në Gjermani, duke dëshmuar se interesi i diasporës shqiptare për humorin dhe eventet kulturore vazhdon të rritet.

Pas përfundimit të performancave, atmosfera festive vijoi edhe më tej me afterparty, ku DJ Besian Xhindole mbajti gjallë ritmin e natës, duke e kthyer eventin në një festë të plotë për të gjithë të pranishmit.

Edicioni i pestë në Këln konfirmoi edhe një herë suksesin e “Shqip Up Comedy Festival”, duke sjellë një mbrëmje të mbushur me humor, energji dhe bashkim të komunitetit shqiptar. /Telegrafi/