Please enter at least 3 characters.

Të papërgatitur

2016/01/t-euml-pap-euml-rgatitur_hd.jpg

Edhe pse Kampionati i ri pritet të jetë kualifikues për gara evropiane, fillimi i tij nuk po pritet me ndonjë entuziazëm në vendin tonë.

Kur kanë mbetur edhe disa ditë deri në fillim të sezonit të ri klubet po bëjnë përgatitje të zakonshme, njësoj sikurse viteve të kaluara. Lojtarët kryesorë të deritanishëm të tyre kanë shkuar në klubet e Shqipërisë, kurse me ata që kanë mbetur në Kosovë po nënshkruajnë kryesisht kontrata afatshkurtra, njëvjeçare. Ndërsa, për plotësim të kritereve më madhore të UEFA-s, si juridike e infrastrukturore, as që bëhet fjalë.

Madje, në dallim prej viteve të kaluara kur në prag të fillimit të çdo sezoni skuadrat kosovare zhvillonin në kampe përgatitore edhe jashtë vendit, sivjet ato as që po e bëjnë një gjë të tillë, duke ushtruar vetëm nëpër fushat e tyre.

Kriza e madhe financiare që e ka kapluar futbollin kosovar qe shumë vite ua pamundëson klubeve një asi “luksi”.

Edhe pse efekti i përgatitjeve jashtë vendit vlerësohet si shumë i dobishëm për çdo ekip, klubet hezitojnë t’i shpenzojnë rreth 10 mijë euro, të cilat konsiderojnë se mund t’i shpenzojnë në ndonjë aspekt tjetër. “Përgatitjet jashtë vendit janë aq efektive për çdo skuadër, saqë është e pamundur të zëvendësohen me përgatitje brenda shtetit. Kjo pasi ato kanë edhe efekt psikologjik, ekipi funksionon komplet sipas programit. Ushqimi, fjetja, e gjithçka shkojnë me program”, thotë për “Zërin” trajneri i Feronikelit, Gani Sejdiu.

“Një aso faze përgatitore duhet të zhvillohet në ndonjë vend me pak lartësi mbidetare. Dhe, ofertat që po na vijnë prej atyre vendeve nuk po na konvenojnë shumë, për shkak se dihet gjendja financiare në futbollin tonë. Sa i shpenzojmë rreth 10 mijë euro në një aso përgatitje, me atë shumë klubi i kryen pagat për një muaj. Kështu që po mundohemi ta kompensojmë me përgatitje brenda vendit, edhe pse ushtrimet jashtë shtetit realisht janë të pazëvendësueshme”, potencon trajneri i kampionit në fuqi.

Për rëndësinë e zhvillimit të një faze përgatitore jashtë vendit, e që klubet e Kosovës sivjet nuk po e bëjnë, flet edhe trajneri i Dritës, Bekim Isufi, i cili shpreh keqardhje që as skuadra e tij nuk ka mundur ta bëjë një gjë të tillë. “Vetëm kemi filluar vonë me përgatitje, sepse kurrë nuk do ta linim pa shkuar jashtë vendit për përgatitje. Rëndësinë e kësaj e dinë edhe futbollistët, të cilët në fund të fundit do të pajtoheshin t’u hiqej nga një gjysmë rroge vetëm për të shkuar jashtë”, thotë ai.

“Unë kur bëj marrëveshje me ndonjë klub, gjithnjë pjesë të marrëveshjes e kam edhe shkuarjen jashtë vendit. Në aso përgatitje e ki ekipin nën kontroll të plotë, me ushtrime, me ushqim, me fjetje, pastaj krijohet harmonia në skuadër, lidhen lojtarët e shumëçka tjetër. Andaj them se shkuarja në përgatitje jashtë vendit s’ka të paguar. Bile do të ishte mirë nga dy herë të shkohet. Klubet e vendeve tjera shkojnë edhe kah tri herë”, pohon ish-futbollisti gjilanas.

Harrojeni cilësinë!

Mosshkuarja e skuadrave jashtë vendit për ta zhvilluar nga një fazë përgatitore do të reflektojë keq në rrjedhjen e Kampionatit të ri, sidomos në cilësi, e cila i mungon kaherë.

“Sigurisht se kjo ndikon në Kampionat. Këtu nuk e kemi një fushë në dispozicion gjatë gjithë kohës, kurse jashtë vendit e ke. Ndryshe bëhet përgatitja fizike dhe komponimi i ekipit jashtë, ku do të mundë të zhvillonim edhe tri-katër ndeshje kontrolluese”, pohon trajneri i Dritës, Bekim Isufi.