Taksa për veturat që hyjnë në Prishtinë, Rregullorja është në diskutim publik deri më 24 qershor
Taksë komunale për biznese si edhe ajo për veturat që hyjnë në kryeqytet, që parashihen me rregulloren e komunës së Prishtinës, të enjten do të diskutohet me qytetarët e palët e tjera.
Por përderisa të njëjtën e mbron komuna, që arsyetohen se mjetet do të përfundojnë në projekte zhvillimore, bizneset e qytetarët, shumat e parapara po i konsiderojnë si të paarsyeshme.
Aktualisht është veç në diskutim publik.
Por, ndryshimet e propozuara në Rregulloren për Tarifa, Ngarkesa e Gjoba Komunale të komunës së Prishtinës, kanë bërë bujë tash e një kohë.
Ajo parasheh pagesa prej 10 eurosh në ditë për qytetarët nga komuna të tjera që hyjnë në zona të caktuara të kryeqytetit, kurse bizneset taksë vjetore nga 300 deri në 3000 mijë euro.
1000 mijë euro parashihet të paguajnë avokatët, e një shumë e tillë, për Arbër Jasharin, nuk është e arsyeshme.
“Unë mendoj që taksat e propozuara nuk janë proporcionale pikë së pari, rrezikojnë shumë biznese dhe shumë avokat mund të vijnë në fazën që ta shqyrtojnë operimin e tyre në komunën e Prishtinës”, u shpreh Jashari.
Të njëjtën shumë sa avokatët do e paguajnë edhe sallonet e floktarisë e shërbime tjera të bukurisë, por edhe bankat.
Rikthimin e taksës komunale nga bizneset po e kundërshtojnë nga Aleanca Kosovare të Bizneseve, meqë sipas tyre, do të rrisë automatikisht edhe çmimet për konsumatorët.
“Kjo është ngarkesë për komunitetin e bizneseve në regjionin e Prishtinës kjo është e panevojshme dhe e pa arsyetueshme dhe me këtë biznesin e ngarkon e më pas biznesi edhe konsumatorin”, u shpreh kryetari i AKB-së, Agim Shahini.
Më të s’po pajtohen as qytetarët.
“10 euro në javë me qenë edhe është shumë se le në ditë se Prishtina nuk është veç e qytetarëve këtu por e krejt Kosovës, është vlerë e madhe për standardin”, u shpreh një qytetar.
Por, drejtori i Zhvillimit Ekonomik, Luftar Braha, thotë se taksa prej 10 eurosh, është ideuar vetëm për qendrën e kryeqytetit, ndërsa synohet të stimulohen veturat elektrike duke mos u taksuar.
Braha, komenton edhe reagimet e komunitetit te biznesit dhe qytetarëve, derisa thotë se mjetet nga kjo taksë, do të përfundojnë në projekte zhvillimore.
Draft-rregullorja aktualisht është në fazën e diskutimit publik, dhe të enjten do të trajtohet me palë të interesuara në Sallën e Kuvendit Komunal, ndërsa afati për komente dhe sugjerime është i hapur deri më 24 qershor – datë pas së cilës synohet të dërgohet për miratim.


