Please enter at least 3 characters.

Stuhia në Suharekë, ekipet emergjente intervenojnë për largimin e pasojave

Pas stuhisë së fuqishme që përfshiu Komunën e Suharekës mbrëmjen e 21 korrikut, ekipet e NPL “EKO-THERANDA” kanë dalë në terren që në orët e para të mëngjesit për sanimin e dëmeve dhe eliminimin e rreziqeve të krijuara.

Sipas njoftimit, nga kjo stuhi nuk është raportuar asnjë person i lënduar, ndërsa ekipet kanë vazhduar punën për rikthimin e sigurisë në hapësirat publike.

Gjatë intervenimeve, punëtorët e NPL “EKO-THERANDA” janë angazhuar në largimin e pemëve të rrëzuara, pastrimin e materialeve dhe objekteve që paraqisnin rrezik për qytetarët dhe qarkullimin, si dhe sigurimin e zonave të prekura.

Këto aktivitete janë realizuar në bashkëpunim me Njësinë e Zjarrfikësve, Drejtorinë për Shërbime Publike dhe Drejtorinë e Inspekcionit të Komunës së Suharekës.

Nga NPL “EKO-THERANDA” kanë falënderuar ekipet bashkëpunuese për gatishmërinë dhe koordinimin gjatë menaxhimit të situatës, duke bërë të ditur se do të vazhdojnë intervenimet në çdo zonë ku paraqitet nevoja.

Institucionet kanë kërkuar mirëkuptimin e qytetarëve dhe kanë falënderuar bashkëpunimin e tyre gjatë punimeve për rikthimin e gjendjes normale pas stuhisë. /Telegrafi/