Please enter at least 3 characters.

Steven Tyler i Aerosmith fiton betejën ligjore ndaj ish-të dashurës

Këngëtari i Aerosmith, Steven Tyler, ka siguruar një fitore ligjore në betejën gjyqësore me ish-të dashurën e tij, Julia Misley, e cila e akuzon se e ka abuzuar seksualisht kur ajo ishte adoleshente në vitet e 70-ta.

Tyler, 78 vjeç, i ka mohuar më herët akuzat. Gjykatësja e Gjykatës së Lartë në Los Angeles, Patricia A. Young, rrëzoi disa nga pretendimet e Misley-t, ndërsa gjyqi është planifikuar të nisë më 21 shtator.

Sipas vendimit, Misley nuk do të mund të paraqesë prova për pretendimin se kishte kryer abort gjatë kohës së lidhjes me Tyler, ndërsa është kufizuar edhe në pretendimet për sulme të tjera të dyshuara pas moshës 18 vjeç, shkruan DailyMail.


Gjykata vendosi gjithashtu se ajo nuk mund ta përshkruajë Tyler-in si “përdhunues” apo “kriminel”, nëse nuk paraqiten prova të mjaftueshme për këto pretendime.

Megjithatë, Misley do të lejohet të paraqesë prova se Tyler ishte prezantuar si kujdestari i saj dhe se i kishte premtuar mbështetje për arsimimin, trajtimin mjekësor apo nevojat e saj.

Ajo gjithashtu mund të flasë për konsumimin e drogës dhe alkoolit gjatë incidenteve të pretenduara në Kaliforni.

Çështja që do të shqyrtohet në gjyq është tashmë shumë më e kufizuar. Shumica e pretendimeve lidhur me marrëdhënien e tyre trevjeçare në disa shtete janë rrëzuar, ndërsa në qendër ka mbetur një incident i pretenduar i vitit 1974, që dyshohet se ka ndodhur në një vaskë të nxehtë në një hotel në Kaliforni. /Telegrafi/