Please enter at least 3 characters.

"Spec me pesticide", Ananas Impex: Sasia e raportuar nuk është shpërndarë në Kosovë

Kompania Ananas Impex SH.P.K. ka reaguar lidhur me njoftimet e AUV, për ndalim të një ngarkese me spec të kuq duke thënë se të gjitha produktet e saj prodhohen, përpunohen dhe tregtohen në përputhje me standardet ligjore dhe kërkesat e sigurisë ushqimore në fuqi.

Në një deklaratë publike, kompania ka hedhur poshtë pretendimet se produktet e saj të vendosura në tregun e Republikës së Kosovës paraqesin rrezik për shëndetin e konsumatorëve.

Sipas kompanisë, ajo ka bashkëpunuar “ngushtë dhe në mënyrë transparente” me Agjencinë e Ushqimit dhe Veterinarisë (AUV), duke respektuar kërkesat ligjore dhe procedurat e kontrollit zyrtar për garantimin e sigurisë ushqimore.

Ananas Impex ka bërë të ditur se, pas njoftimit të AUV-së përmes RASFF, në bashkëpunim me autoritetet kompetente është realizuar gjurmueshmëria e plotë e lotit të raportuar, me ç’rast – sipas saj – është konstatuar se sasia e përmendur nuk gjendet dhe nuk është shpërndarë në tregun e Republikës së Kosovës.

“Kompania garanton konsumatorët se të gjitha produktet e saj prodhohen, përpunohen dhe tregtohen në përputhje me standardet ligjore dhe kërkesat e sigurisë ushqimore në fuqi”, thuhet në deklaratë.

Po ashtu, kompania ka theksuar se analizat laboratorike dhe kontrollet shtesë të kryera në produktet dhe lotët përkatës kanë rezultuar në përputhje të plotë me standardet, “pa prezencë të pesticideve mbi kufijtë e lejuar”.

Në deklaratë përmendet edhe se kontrollet zyrtare të realizuara nga AUV në objektet e kompanisë dhe në terren “nuk kanë evidentuar asnjë parregullsi apo bazë për ndërmarrjen e masave ndaluese” ndaj produkteve të saj.

Ananas Impex ka theksuar se deklarata bazohet në procesverbalin zyrtar të lëshuar nga AUV pas inspektimeve, verifikimeve dhe kontrolleve të kryera, ndërsa pret që sqarimi përfundimtar zyrtar nga AUV të konfirmojë gjetjet dhe faktet e paraqitura.