Spanja dhe Barcelona bien dakord për datën e rikthimit të Lamine Yamal nga lëndimi
Sipas raportimit të Mundo Deportivo, Barcelona dhe Federata Spanjolle e Futbollit kanë arritur marrëveshje të plotë për një plan të kujdesshëm rikuperimi dhe rikthimi të yllit të skuadrës, Lamine Yamal.
Sulmuesi 18-vjeçar ka mbetur jashtë fushave për afro një muaj, pasi pësoi një dëmtim në muskulin e kofshës së majtë gjatë ndeshjes ndaj Celta Vigos.
Klubi katalanas dhe përfaqësuesja e Spanjës kanë vendosur në mënyrë të përbashkët që nuk ka asnjë arsye për të nxituar rikthimin e tij, sidomos për ndeshjet hapëse të Botërorit ndaj kundërshtarëve më pak të fortë.
Si pasojë, Yamal do të mungojë në sfidat e fazës së grupeve kundër Cape Verde dhe Arabisë Saudite, me qëllim shmangien e çdo rreziku për një rikthim të parakohshëm apo përkeqësim të lëndimit.
Stafi mjekësor po synon që rikthimi i tij zyrtar në turne të ndodhë në përballjen e madhe të grupit kundër Uruguay, e planifikuar për të shtunën, më 27 qershor.
Ndërkohë, lojtari po ndjek me përpikëri planin e rikuperimit dhe madje ka bërë shaka duke premtuar se nuk do të prekë topin deri në nisjen zyrtare të turneut. /Telegrafi/


