Please enter at least 3 characters.

Sot mbahet Kuvendi Zgjedhor i FFK-së, Agim Ademi drejt një mandati të ri si kryetar

Sot, me fillim nga ora 11:00, do të mbahet Kuvendi Zgjedhor i Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK).

Kjo ngjarje nuk do të jetë e hapur për media, por do të transmetohet drejtpërdrejt në kanalet zyrtare të FFK-së në YouTube dhe Facebook.

Kohëve të fundit ka pasur zhurmë të madhe rreth këtij procesi, pasi Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) ka ngritur shqetësime lidhur me standardet demokratike të procesit të kandidimit për postin e presidentit të FFK-së. Sipas MKRS-së, kërkesa për 15 nënshkrime mbështetëse për kandidaturë mund të kufizojë konkurrencën dhe mundësinë për një garë të barabartë.

Në anën tjetër, shtëpia më e madhe e futbollit evropian, UEFA, ka konfirmuar pranimin e letrës së MKRS-së, duke theksuar se çdo komunikim zyrtar duhet të zhvillohet përmes FFK-së.

Në përgjigjen e saj është përfshirë edhe letra e përbashkët e FIFA-s dhe UEFA-s, e cila konfirmon harmonizimin e statutit të FFK-së. Gjithashtu është nënvizuar se çdo diskutim i mëtejmë mund të bëhet vetëm pas mbajtjes së Kuvendit Zgjedhor.

Kryetari aktual i FFK-së, Agim Ademi, pritet të jetë kandidati i vetëm në këtë proces dhe sipas të gjitha gjasave do të sigurojë një mandat të ri në krye të federatës. /Telegrafi/