Skënder Gashi – Doktori që sfidon botën me vrapime në shtigjet e gjata
Skënder Gashi është një vrapues pasionant që ka ndërtuar një karrierë të jashtëzakonshme në garat e distancave të gjata, veçanërisht në maratonë – disiplinë që ai e konsideron si “mbretëresha e atletikës”.
Për Gashin, maratona është një sfidë që kërkon përkushtim maksimal, stërvitje intensive, guxim dhe karakter të fortë për të përballuar jo vetëm garën, por edhe përgatitjet për të.
Zyrtarisht, rrugëtimi i tij nisi në vitin 2005 me pjesëmarrjen në Gjysmëmaratonën e Prishtinës. Që atëherë e deri më sot, ai ka përfunduar rreth 35 maratona (42.1 km) në mbarë botën. Stërvitja dhe përkushtimi i tij kanë dhënë fryte: rekordi personal prej 03:26:29, i arritur në Maratonën e Bukureshtit, i ka mundësuar të kualifikohet për ciklin prestigjioz të Abbott World Marathon Majors.
Ky cikël përfshin shtatë nga maratonat më të mëdha dhe më të famshme në botë: Boston, Chicago, New York, Sydney, London, Berlin dhe Tokyo.
Qëllimi i Skënderit është t’i përfundojë të shtatë këto maratona – një mision që e vendos atë në mesin e elitës së vrapuesve në mbarë botën.
Më 21 prill 2025, ai garoi dhe përfundoi me sukses Maratonën e Bostonit, e njohur si më prestigjiozja nga të gjitha në kuadër të Abbott World Majors. Me kohën 03:38:43, Gashi u rendit në vendin e 9-të në kategorinë 70+, duke hyrë në Top10 – një sukses i jashtëzakonshëm për vrapuesin nga Kosova.
Për vitin 2025, ai ka planifikuar të marrë pjesë në tri maratona të tjera të rëndësishme: në Sydney (gusht), Chicago (tetor) dhe New York (nëntor), duke vazhduar misionin për ta kompletuar tërë ciklin elitë.
Doktor Skënder Gashi gjithmonë përfaqëson Kosovën me krenari. Në çdo garë ndërkombëtare, nuk mungon asnjëherë kapela me emblemën e Republikës së Kosovës – një simbol që për të është pjesë e pandashme e identitetit dhe përfaqësimit. /Telegrafi/


