Please enter at least 3 characters.

Skandali që tronditi botën: Jenni Hermoso kthehet në kombëtare për herë të parë pas incidentit me Rubiales

Sulmuesja 35-vjeçare Jenni Hermoso do të veshë sërish fanellën e Spanjës për herë të parë që nga momenti kur u puth pa dëshirën e saj nga ish-presidenti i Federatës Spanjolle të Futbollit, Luis Rubiales, gjatë ceremonisë së ndarjes së medaljeve në finalen e Kupës së Botës për Femra 2023 në Australi.

Përzgjedhesja e re e kombëtares, Sonia Bermudez, e ka ftuar Hermoson në listën e saj për gjysmëfinalet e Ligës së Kombeve, duke shënuar kështu rikthimin e saj pas një mungese prej një viti.

Bermudez mori drejtimin e kombëtares pas Montse Tome, kontrata e së cilës nuk u rinovua pas përfundimit të Kampionatit Evropian të femrave në gusht.

Hermoso, e cila aktualisht luan për Tigres UANL në Meksikë, kishte mbetur jashtë ekipit kombëtar gjatë Euro 2025, ku kampionet e botës u mposhtën në finale nga Anglia.

Jenni Hermoso

Skandali me puthjen e Rubialesit shkaktoi një debat të madh kombëtar mbi seksizmin në sport, dhe ish-zyrtari spanjoll u dënua për sulm seksual në muajin shkurt.

Përveç Hermosos, Bermudez ka rikthyer edhe mbrojtësen e Barcelonës Mapi Leon, e cila nuk kishte luajtur për Spanjën që prej revoltës së lojtareve ndaj ish-trajnerit Jorge Vilda në vitin 2022.

Spanja do të përballet me Suedinë më 24 dhe 28 tetor në gjysmëfinalet e Ligës së Kombeve, ndërsa në çiftin tjetër përballen Gjermania dhe Franca./Telegrafi/