Sjellja agresive e Trumpit po i bënë bashkë Xinë, Putinin dhe Kimin dhe po e çrregullon rendin e vjetër botëror
Burimi: The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com
Reagimi i parë i Donald Trumpit ndaj spektaklit shqetësues të Xi Jinpingut të Kinës, Vladimir Putinit të Rusisë dhe Kim Jong-un-it të Koresë së Veriut duke marshuar krah për krah në një paradë të madhe ushtarake në Pekin ishte, siç pritej, tërësisht për veten e tij. Kjo shfaqje solidariteti dhe force, ai u ankua, nuk ishte gjë tjetër veçse një përpjekje për të “komplotuar” kundër Shteteve të Bashkuara. Trumpi i pëlqen paradat ushtarake - të vetat, domethënë. Edhe më shumë i pëlqen të jetë në tribunë, në qendër të vëmendjes. Ai e paraqet veten si numrin një në botë. Imazhet që vinin nga kryeqyteti kinez, këtë javë, e sfiduan atë në të gjitha aspektet.
Kjo goditje në egon e pasigurt të Trump dhe dobësia e dukshme e reagimit të tij do ta kënaqë shumë Xinë. Qëkur mori detyrën në janar, sjellja e Trumpit ndaj Kinës ka qenë agresive, hakmarrëse dhe përçmuese. Në veçanti, tarifat ndëshkuese tregtare të tij kanë shkaktuar shqetësim të paprecedent. Edhe pse më të ashprat janë pezulluar deri në nëntor, ato ndihmojnë për të shpjeguar këmbënguljen e përsëritur të Xisë se Kina është një komb krenar që nuk lejon të ngacmohet. Në të njëjtën kohë, Trumpi ka folur në mënyrë të paqartë për të ofruar një samit ballë për ballë, thuajse po ia bën një nder të madh. Parada e triumviratit në Pekin ishte përgjigjja e drejtpërdrejtë e Xisë.
Edhe sipas standardeve të Sheshit të Kuq, ishte mbresëlënëse shfaqja mburravece e fuqisë ushtarake nga presidenti kinez. Salltaneti, himnet, ushtarët që marshonin të sinkronizuar në mënyrë të përsosur dhe me hapa të gjatë, tanket, pjesët e artilerisë - dhe madje edhe lëshimi i 80 mijë pëllumbave të hutuar - të gjitha tregonin për përparimin e shpejtë të Kinës drejt barazisë ushtarake globale me Uashingtonin. Gjëja më shqetësuese për marinën amerikane që patrullon në Paqësorin perëndimor ishte zbulimi i raketave hipersonike, me kapacitet bërthamor dhe rreze të gjatë, si dhe i dronëve nënujorë. Kina ishte “e pandalshme”, deklaroi Xi. Duke shënuar përfundimin e Luftës së Dytë Botërore, ai tha: “Njerëzimi përballet sërish me zgjedhjen mes paqes apo luftës, dialogut apo përplasjes - fitim-fitim apo lojë me rezultat zero”. Edhe kjo fjali ishte një paralajmërim i qartë drejtuar Trumpit. Nëse ai do ta marrë parasysh këtë, kjo është një çështje tjetër.
Pavarësisht fanfarave dhe bajonetave, qëllimi i përgjithshëm i Xisë në orkestrimin e kësaj shfaqjeje të madhe politike dhe diplomatike, po ashtu edhe ushtarake, ishte të projektojë rolin udhëheqës global të Kinës në të ardhmen - siç e ka parashikuar dhe formësuar vetë ai. Kjo është ajo për të cilën Xi ka punuar qëkur erdhi në krye të Partisë Komuniste në vitin 2012. Ai ka përqendruar kontrollin më shumë se çdo udhëheqës tjetër, që nga Mao Zedong - udhëheqjen katastrofike të të cilit ai e admiron. Kritikat ndaj gabimeve të Xisë - dhe ka pasur shumë, mbi menaxhimin ekonomik, punësimin, krizën e pasurive të paluajtshme dhe korrupsionin - kanë sjellë kufizime gjithnjë e më të ashpra mbi korporatat, median dhe liritë personale. Si shtet i kontrollit, Kina është pa dyshim numri një në botë. Politika e jashtme e Xisë, veçanërisht ndaj Tajvanit dhe gjithë rajonit të Detit të Kinës Jugore, është në mënyrë të frikshme ekspansioniste.
Duke mbledhur, fundjavën e kaluar, dhjetëra liderë kombëtarë, fillimisht në konferencën vjetore më të madhe ndonjëherë të Organizatës së Bashkëpunimit të Shangait (SCO) - një ekuivalent i mundshëm euroaziatik i BE-së - dhe më pas në Pekin, Xi vendosi një pikë referimi rëndësia e së cilës do të ndihet përtej Shtëpisë së Bardhë. Me praninë e tyre, liderët e Turqisë, Indonezisë, Malajzisë, Pakistanit, Iranit dhe shumë fuqive të tjera aktuale apo të ardhshme në rritje, u përulën përpara fuqisë kineze. Edhe udhëheqësi i Indisë, Narendra Modi - i shqetësuar për shkak të tarifave të Trumpit - mori pjesë duke minimizuar rivalitetet e vjetra me Kinën. Deklarata e përbashkët e SCO-së në thelb miratoi një rend të ri në zhvillimin e sigurisë dhe ekonomisë globale - që sfidon rendin e vendosur pas vitit 1945 - të drejtuar dhe dominuar nga Pekini. Ishte pohimi më i fundit triumfalist i vizionit të Xisë për Kinën si fuqia kryesore e shekullit XXI.
Nuk është çudi që Trumpi u ndje i mënjanuar. Por, kush do të mohonte se është pikërisht antagonizmi i tij i pamend dhe provokues, ndaj miqve dhe armiqve njëkohësisht - përmes një versioni të rifreskuar dhe shumëplanësh të shtrirjes neo-imperialiste të ShBA-së - ato që nxitën kaq shumë vende të bashkohen me Kinën? Megjithatë, është shumë i diskutueshëm supozimi se aleanca e Pekinit, me triumviratin Xi-Putin-Kim në qendër, mund të qëndrojë e bashkuar në planin afatgjatë dhe të gjejë mënyra të bashkëpunimit konstruktiv, jo ushtarak.
Putinit i duhet ndihma e Xisë për Ukrainën, por Rusia ka një frikë historike dhe të thellë ndaj ekspansionizmit kinez. Edhe Kimi i Koresë së Veriut - sjellja destabilizuese rajonale dhe varfëria e përhershme e të cilit e shqetëson Pekinin - po ashtu ka frikë nga dominimi kinez. Ose, shihe ndryshe: si Putini ashtu edhe Xi janë në të 70-at. Ata nuk do të jenë gjithmonë në pushtet. Sundimi i tyre është shumë i personalizuar. Pa ata, në të dy vendet dalin qartë boshllëqet. Potenciali për shpërthime të mospajtimeve, aktualisht të shtypura, është shumë i madh.
Ata kanë një partneritet trepalësh që i përshtatet momentit, pa ndonjë mbështetje ideologjike, intelektuale apo morale. Ata janë të bashkuar për të kundërshtuar hegjemoninë amerikane, një sistem financiar të dominuar nga Perëndimi e të bazuar në dollar - janë kundër asaj që ata e konsiderojnë si standard të padurueshëm universal të të drejtave njerëzore dhe civile. Të tre ata janë, deri në palcë, autoritarë antidemokratikë. Me fjalë të tjera, ashtu si demagogët populistë të ekstremit të djathtë në ShBA dhe Evropë, ata e dinë çfarë nuk u pëlqen.
Nëse ata dinë si të zëvendësojnë atë që duan të shkatërrojnë, nëse kanë ndonjë ide të realizueshme apo të besueshme për struktura alternative globale që shkojnë përtej interesit kombëtar dhe përfitimeve politike apo personale, kjo çështje është shumë e dyshimtë. Po t’u jepej mundësia, shumë vende të rangut të mesëm mund të ktheheshin përsëri në orbitën e ShBA-së - nëse vendi do të drejtohej nga një president më racional, më pak përçarës.
Në vitin 1945, kur u krijua OKB-ja dhe rendi aktual botëror, kishte vendosmëri të përbashkët, kryesisht mes fuqive perëndimore, që katastrofat e dy luftërave botërore të mos përsëriteshin kurrë - dhe kjo ishte thelbësore për vendimmarrjen e tyre, sado e papërsosur të ishte. Një ndjenjë e tillë altruizmi mungon krejtësisht sot në llogaritjet pragmatike dhe performative të triumviratit të Pekinit. E gjithë kjo, duhet thënë, nuk premton gjëra të mira për botën. Duke parë Xinë, Putinin dhe Kimin, plus Trumpin izolacionist dhe nihilist, studiuesit biblikë mund të arsyetohen kur përmendin katër kalorësit e Apokalipsit: pushtimin, luftën, urinë dhe vdekjen.
Nuk ka çmim që jepet për të kuptuar se kush është kush. /Telegrafi/


