“Situatë e paprecedentë dhe e rrezikshme”, ekspertët paralajmërojnë pasoja nëse nuk zgjidhet presidenti
Njohësit e politikës kërkojnë që partitë politike të vendosin sa më shpejt nëse duan të bëjnë kompromise për zgjedhjen e presidentit apo të shpallen zgjedhjet e reja. Kjo pasi, sipas tyre, pas 5 tetorit Kosova do të mbetet pa president. Çdo vonesë në formimin e institucioneve para tetorit vlerësohet se do t’i kushtojë vendit me pasoja të reja institucionale e politike.
Kosova po rrezikon të hyjë në një periudhë të re të bllokadës institucionale në mungesë të një konsensusi për zgjedhjen e presidentit.
Në rast se nuk arrihet kuorumi i nevojshëm për çështjen e shefit të shtetit, nga 5 tetori vendi mbetet edhe pa president.
Njohës të fushës thonë se në këtë situatë partitë politike duhet të vendosin sa më shpejt, nëse nuk arrijnë marrëveshje, t’i shpallin zgjedhjet e reja.
Ata paralajmërojnë se një situatë ku Kosova mbetet pa president, do të sillte pasoja politike dhe institucionale për vendin.
“Kjo zgjedhje e këtij presidentit duhet të bëhet para datës 4-5 tetor. Në rast se nuk ndodh kjo, kjo është situatë e paprecedent, e rrezikshme sepse cenon sigurinë kombëtare të Kosovës. Për herë të parë ndodhë që një shtet në Bashkimin Evropian të funksionojë pa asnjë titullar....”, ka thënë Vullnet Bugaqku, hulumtues i lartë në Institutin Demokratik të Kosovës.
Njohësit e fushës thonë se partitë politike nuk duhet të lejojnë që të kalohet më shumë kohë pa institucione funksionale.
“Kur ky debat të shterrohet Kosova le të shkoj në zgjedhje dhe u.d e presidentes të caktoj një datë sa më shpejt për mbajtjen e zgjedhjeve në mënyrë që deri para datës 5 tetor ta kemi një Kuvend të ri, qeveri të re dhe një president që është legjitim dhe legal që votohet nga Kuvendi i Kosovës. Në këso rrethana pas datës 5 tetor ne shkojmë në anarki kushtetuese, nuk do të ketë as kush ti thërras partitë për konsensus”, ka thënë Naim Jakaj, hulumtues i lartë i Institutit të Kosovës për Drejtësi
Zvarritja e formimit të institucioneve i ka humbur Kosovës dhjetëra miliona euro nga Plani i Rritjes, derisa ngërçi politik vlerësohet se do ta dëmtojë edhe më shumë vendin.
“Ndërkohë pasojat do të jenë të rënda, siç e përmenda. Financat nga plani i rritjes, financat nga plani i brendshëm, çështjet që lidhen me diplomacinë, shërbimin e jashtëm, me lobimin e Kosovës për aplikim për anëtarësim në Këshillin e Evropës dhe organizata të tjera, veçanërisht në Bashkimin Evropian”, ka shtuar Jakaj.
Lëvizjes Vetëvendosje i duhen edhe 6 vota për ta zgjedhur presidentin e ri. Partia Demokratike, Aleanca e 6 deputetë të LDK-së janë deklaruar se nuk do të ofrojnë kontribut në këtë drejtim./RTK


