Siljanovska-Davkova: BE-ja mbetet prioriteti ynë, nuk kërkojmë privilegje, por zbatimin e ligjit evropian
Në një ceremoni zyrtare me nderimet më të larta shtetërore dhe ushtarake, presidentja Gordana Siljanovska-Davkova u prit sot në Lubjanë nga presidentja e Republikës së Sllovenisë, Natasa Pirc Musar.
Presidentja nga Lubjana tha se BE-ja mbetet jo vetëm një shtëpi gjeografike, historike dhe kulturore e përbashkët për Maqedoninë, por edhe një prioritet i rëndësishëm.
"Dua të theksoj rrezikun e bilateralizimit të procesit të zgjerimit, veçanërisht kur ai lidhet me çështje identiteti të panegociueshme. Ne nuk po kërkojmë privilegje, ne po kërkojmë vetëm zbatim të qëndrueshëm të ligjit evropian dhe respekt, sigurisht, për identitetin historik dhe kulturor të popujve dhe për dinjitetin dhe integritetin e individëve", tha Siljanovska-Davkova.
Pas takimit me mikpritësin e saj, presidenten sllovene Natasa Pirc Musar, Siljanovska-Davkova vuri në dukje se BE-ja personifikon unitetin në diversitet dhe mbetet një filozofi frymëzuese.
"Lidhur me integrimin tonë evropian, përsërita se ne mbetemi të përkushtuar. Për mua, integrimi i Ballkanit Perëndimor nuk është vetëm një çështje politike, por edhe një çështje sigurie. Retorika nuk mjafton për t'u bërë rezistent ndaj ndikimeve të huaja, sepse të gjithë e dimë se nuk ka boshllëk politik që dikush nuk do të përpiqet ta mbushë ose të ndikojë. Dhe një gjë tjetër, Ballkani gjithmonë ka qenë një lloj prove lakmusi për matjen e forcës së aktorëve të rëndësishëm.
Ne kemi një politikë të jashtme dhe të sigurisë 100 për qind të përafruar me BE-në dhe meritojmë, përmes prizmit të kritereve të Kopenhagenit, të tregojmë dhe të dëshmojmë pjekuri dhe interes në rrugën evropiane", theksoi Siljanovska-Davkova, duke shprehur mirënjohje për mbështetjen që Maqedonia merr nga Sllovenia në rrugën e integrimit evropian./Telegrafi/


