Please enter at least 3 characters.

Si e realizuam filmin “Një letër për Brezhnjevin”

Alexandra Pigg dhe Peter Firth në filmin e vitit 1985, “Letter to Brezhnev”

Foto: Mirrorpix/Getty Images

Intervistoi: Jack Watkins / The Guardian (titulli: ‘The film humanised Russians at a time when Rambo was killing them’: how we made Letter to Brezhnev)
Përkthimi: Telegrafi.com

Frank Clarke, skenarist

Nisa ta shkruaja me vrull skenarin në një makinë shkrimi, në apartamentin tim të rrëmujshëm në Toksteth të Liverpulit në vitin 1981. Katër vjet më vonë, filmi pati premierën britanike. Ideja ime ishte për një romancë të klasës punëtore - mes disa vajzave nga Kirkbi, që është vendlindja ime, dhe dy marinarëve rusë në pushim me leje pranë portit të Liverpulit, me një mesazh të nënkuptuar politik në një kohë kur qeverisja e Thatcherit dhe Lufta e Ftohtë ishin në kulm. Kishte shumë propagandë anti-ruse në shtyp, por unë nuk isha i gatshëm të urreja një komb të tërë vetëm sepse ishte demonizuar prej figurave si manjati i shtypit Robert Maxwell.

Ia dërgova skenarin çdo kompanie televizive në vend. Të gjitha thoshin se u pëlqente, por nuk do ta realizonin. Besoj se kështu funksionon censura. Nuk të refuzojnë drejtpërdrejt, thjesht thonë se nuk kanë para. Por, unë isha pjesë e skenës gej dhe gjithmonë kishte njerëz që flinin në divanin tim. Një natë, një pasanike, Fiona Castleton, fjeti aty pasi humbi tragetin për në Ishullin e Manit. Më la një shënim ku thuhej: “Nëse ndonjëherë je në zonë, eja dhe më përshëndet.” Unë e mora tragetin e parë, me skenarin nën sqetull. Vëllait të saj, Charlesit, i pëlqeu shumë historia, dhe ishin paratë e tij që na mundësuan të hynim në produksion.

Romanca kryesore e filmit është mes Elejnës (Alexandra Pigg) dhe marinarit rus Piter (Peter Firth), por për mua rrugëtimi më domethënës është marrëdhënia mes Elejnës dhe shoqes së saj Tereza që luhet nga motra ime Margi. Elejna ka guximin të ndjekë ëndrrën e saj dhe të shkojë në Rusi për të gjetur Piterin, ndërsa Tereza - e cila ishte lidhur me Sergein (Alfred Molina) - qëndron aty duke punuar në fabrikën e pulave në Kirkbi.

- YouTube

Jam rritur me shtatë motra, me një vend në rreshtin e parë në grindjet e tyre dhe aftësinë për të falur. Ishin të zgjuara, sidomos kur dikush kishte nevojë për një sharje të mirë. Kështu që gjithë ai dialog i ngjeshur në film, shikimet dhe të qeshurat, dolën përmes penës sime, por ishin motrat e mia ato që ma kishin dhënë depërtimin psikologjik.

Tani e kam përshtatur sërish skenarin për teatër. Ka qenë si të shkosh te shtëpia e një shoku të vjetër, të gjesh ende aty gjithë personazhet me të cilët rrije dikur dhe të thuash: “A t’i japim edhe një xhiro pistës së vallëzimit”?

Margi Clarke interpretoi Terezën

Ende më habit fakti që filmi Një letër për Brezhnjevin [Letter to Brezhnev] ishte gjëja e parë që Franku kishte shkruar ndonjëherë - dhe arriti të bindte Peter Firthin dhe Alfred Molinan të luanin në të. Mendoj se ata menduan se do të ishim si shumë studentë të tjerë, duke vrapuar me një kamerë Super 8 nëpër duar, por ne nuk ishim tamam fillestarë naivë. Kam luajtur te [seriali] Bruksajd [Brookside] si Fran, gruaja e Fushatës për Çarmatimin Bërthamor dhe kisha përvojë skenike me grupin tim pank Margox dhe si prezantuese televizive. Alexandra kishte qenë gjithashtu në Bruksajd dhe në disa produksione të tjera.

“Ishim zhytur në filmat e vjetër të Holivudit” ... Margi Clarke dhe Alfred Molina.Foto: RGR Collection/Alamy

Ishte filmi i parë me regji nga Chris Bernard, por përvoja e tij në teatër nënkuptonte se ishte shumë i mirë me aktorët, duke na ndihmuar të gjenim pikën e rëndësishme të një skene dhe duke na qetësuar nervat - kur në sheshxhirim thërrasin “aksion!”, ritmi i zemrës së një aktori është i njëjtë me atë gjatë një aksidenti automobilistik. Por, skena ime e parë ishte gjithsesi me stres. Tereza sapo ka dalë nga turni në fabrikën e pulave, ende me uniformën e bardhë të njollosur, kur hyn në bar për të takuar miqtë. Chrisi donte që ta luaja pa grim, gjë që e urreja si ide. U afrova fshehurazi te një figurante dhe hodha pak nga buzëkuqi i saj, por Chrisi më pa dhe më detyroi ta fshija.

Fatmirësisht, pata edhe atë skenën e transformimit, në sallën e famshme të vallëzimit në Liverpul, “The State”. Papritur dal nga tualeti i grave si një bionde mahnitëse dhe me një fustan të kuq. Të gjithë ne ishim rritur me filmat e vjetër të Holivudit, dhe ajo skenë frymëzohej nga Now Voyager, ku Bette Davis hipën në një anije duke u dukur e mërzitshme dhe më pas transformohet në mënyrë glamuroze.

Jam krenare për mënyrën se si Letra i humanizoi rusët, në një kohë kur Rambo po i vriste. E adhuroj skenën ku Sergei më hedh mbi supe. Por, filmi ishte gjithashtu një falënderim për Kirkbin dhe njerëzit e tij. Kur na thanë se premiera do të bëhej në Londër, Frank tha: “Ose do ta bëjmë në Kirkbi, ose nuk do të shkojmë fare.” I gjithë qyteti - shumë prej tyre kishin qenë figurantë - doli për premierën. Mbi 500 vetë u futën në shtëpinë e nënës sime për festë, duke mbushur edhe kopshtin. Ende flitet për atë natë. Madje, disa vite më vonë u hap një bar në zonë me emrin Premiera [The Premiere]. /Telegrafi/