Shqipëri, të fortët në burg nën vëzhgim - dyshohet se urdhëruan atentate muajt e fundit
Por, ende nuk është vendosur nëse do të hyjnë apo jo të burgosurit e dyshimtë në 41 biss.
Sipas burimeve të sigurta, aktualisht po shkëmbehet informacion mes Policisë së Shërbimeve Sekrete por edhe Drejtorisë së Përgjithshme të burgjeve që kanë në burgjet e sigurisë së lartë 10 të dënuarit që janë shpallur fajtorë në fushën e drogës dhe të vrasjeve.
Vendosja nën “Big Brother” e tyre në distancë po kryhet pas disa krimeve të rënda të muajve të fundit, që bëjnë fjalë jo vetëm për trafiqe por edhe për atentate.
Megjithatë nuk u dhanë më tepër detaje pasi operacioni sipas burimeve po kryhet nën sekret të plotë.
Deri më tani nën regjimin e ashpër 41 biss mbahen vetëm 7 të burgosur dhe të paraburgosur për të cilët sipas një hetimi në distancë i ngjashëm me këtë që po kryhet aktualisht, u mblodhën të dhëna se secili nga të burgosurit ishte i rrezikshëm dhe mbante komunikime me anëtarë të grupeve jashtë burgut.
Në 41 biss janë dy vëllezërit Klemend dhe Eldi Çala të arrestuar si anëtarë në megagrabitjen e Rinasit, një ngjarje që vijon të ketë në kërkim Talo Çelën.
Po ashtu nën regjim të ashpër dhe super të kontrolluar është edhe Arbër Çekaj, i dënuar me 14 vite burg për trafikimin e 613 kilogramëve kokaine. Së bashku me të në 41 biss është edhe Fatmir Pjetri i “Bandës se babagjyshëve” që u kap me Çekajn pas tentativës për t’u arratisur nga 313.
Si dhe Redjan Rraja nën akuzë për atentatin në aksin Tirane-Durrës si dhe dy vlonjatët Viktor Ymeri dhe Aleksandër Llanaj, njeri i kthyer në burg jo shumë kohë pasi i kishte lënë qelitë dhe tjetri për masakrën e Çoles. /tch/


