Shoqata “Esnaf” lehtëson pjesëmarrjen e bizneseve vendore në disa panaire në Turqi
Shoqata e biznesmenëve dhe zejtarëve “Esnaf” në Prizren vazhdon traditën e dërgimit të bizneseve vendore në panaire të ndryshme jashtë vendit, me qëllim të fuqizimit të tyre për gjetjen e tregjeve të reja.
Kryetari i shoqatës “Esnaf”, Varis Xhejlani ka bërë të ditur se në dy muajt e ardhshëm do të lehtësohet pjesëmarrja e anëtarëve të shoqatës në gjashtë panaire të ndryshme që organizohen në qytetet e mëdha të Turqisë, raporton Telegrafi.
“Për bizneset tona pjesëmarrja në panaire rajonale dhe ndërkombëtare është me interes, me qëllim të krijimit të kontakteve me pjesëmarrës të shteteve të ndryshme”, ka thënë ai.
Sipas tij, afaristët në këto organizime mund të zhvillojnë partneritete dhe të shkëmbejnë përvoja.
“Për shkak se panairi paraqet një platformë për takime të shumëllojshme, shumë prej kontakteve që mund të mund të krijohen i japin mundësi biznesit të zhvillojë partneritete dhe të shkëmbejë eksperienca”, ka deklaruar ai.
Në të njëjtën kohë ka theksuar se në këtë mënyrë hapen shtigjet për zhvillimin ekonomik, raporton Telegrafi.
“Shoqata ‘ESNAF’ synon fuqizimin e bizneseve vendore, me qëllim të zhvillimit ekonomik të Kosovës”, është shprehur Xhejlani.
Ai ka shpalosur edhe listën me panairet për muajin shtator dhe tetor, si në vijim:
“Capital of Fashion”, Panairi i Modës në Ankara
04-06 shtator 2024
www.cof.org.trTexhibition, Panairi i Tekstilit në Stamboll
11-13 shtator 2024
www.texhibitionist.comZuchex Istanbul
18-20 shtator
www.zuchex.comPanairi i Bujqësisë në Bursa
08-12 tetor
www.burtarim.com"Fashion Prime", Panairi i Tekstileve në Izmir
09-11 tetor
fashionprime.izfas.com.trPanairi i Ambalazheve në Stamboll
23-26 tetor
Xhejlani ka bërë të ditur se të gjithë të interesuarit për pjesëmarrje në këto panaire mund të kontaktojnë shoqatën “Esnaf”. /Telegrafi/


