Shkupi, ultimatum Prishtinës
Portali Zhurnal shkruan se autoritetet me të cilat ka kontaktuar, kanë përgënjeshtruar informacionet e sipas të cilave Shkupi zyrtar po zbaton nga dita e sotme taksën e hyrjes për qytetarët e Kosovës.
“Informacionet e tilla janë hedhur poshtë kategorikisht nga zyrtarë të lartë të Qeverisë, të cilët kanë njoftuar për mundësinë e një takimi në nivel ministrash të dikastereve përkatës në mes dy qeverive”, shkruan Zhurnal.
Takimi, i cili pritet të zhvillohet të hënën, do të jetë në funksion të gjetjes së një zgjidhjeje për ngërçin tregtar, i cili pasoi vendimin e Kosovës për bllokimin e disa produkteve të Maqedonisë.
Prishtina zyrtare vendoi të enjten të bllokonte eksportin nga Maqedonia, duke marrë për bazë vendimin e Shkupit për kufizimin e importit të miellit.
Megjithatë, nga Qeveria në Shkup njoftojnë se Prishtinës i është vënë ultimatum të heqë deri në mesnatë masën e bllokimit, sepse në të kundërt do të vërë në zbatim masën e taksës për hyrje që parasheh detyrimin e pagesës me 5 euro për makinë dhe 2 euro për person. /Telegrafi/
Maqedonia "ndëshkon" Kosovën: Çdo kosovar që kalon kufirin - paguan!
Kosova para disa ditësh vendosi masën për ndalesë të importit për prodhimet e Maqedonisë, ku bënin pjesë ushqimi, duhani, alkooli... për shkak të importit të kushtëzuar të miellit nga ana e Maqedonisë.
Por, nuk ka vonuar edhe kundërpërgjigja e Qeverisë së Maqedonisë ndaj këtij vendimi të autoriteteve kosovare.
Portali Almakos mëson se prej sonte, nëpër vendkalimet kufitare Kosovë-Maqedoni, qytetarët e Kosovës do të jenë të detyruar të paguajnë për çdo kalim të kufirit me veturë nga 5 euro, plus edhe nga 2 euro për secilin person që gjendet brenda veturës.
Po ashtu, kjo masë tejet e ashpër, sipas burimeve të Almakos, do të zbatohet edhe ndaj furgonëve dhe autobusëve që do duhet të paguajnë nga 10 euro për mjetet e tyre, plus nga 2 euro për çdo udhëtarë në ato mjete.
Burime konfidenciale për Almakos kanë bërë të ditur se prej sonte Qeveria e Maqedonisë ka mundësi të sjell vendim për mbylljen e tërësishme të vendkalimeve kufitare në mes Kosovës dhe Maqedonisë, deri në gjetjen e një zgjidhjeje në mes këtyre dy shteteve.
Sipas njohësve të çështjeve ekonomike, vendimi i qeverisë së Kosovës do të reflektohen negativisht në ekonominë e Maqedonisë, për shkak të këmbimit tregtar që është në favor të ekonomisë maqedonase.
Gjatë këtij viti në Kosovë janë eksportuar mallra në vlerë prej 160 milionë dollarë, ndërsa nga Kosova në Maqedoni janë importuar 17 milionë dollarë apo 0.5 për qind nga importi i përgjithshëm. /Telegrafi/


