Shkumbin Pireva parashikon kush del kampion në Kosovë dhe kush shkon në Evropë
Në episodin më të ri të podcastit “Arena e Yjeve”, vjen analiza e gazetarëve të Telegrafit, të cilët diskutuan gjerësisht për zhvillimet aktuale në futbollin vendor dhe ndërkombëtar. Ky episod realizohet me mbështetjen e sponsorëve zyrtarë Golden Eagle dhe Exfis.
Gazetari Shkumbin Pireva ka dhënë një parashikim të qartë për garën e titullit në Superligën e Kosovës, duke identifikuar skuadrat që pritet të luftojnë deri në fund për trofeun dhe vendet evropiane.
Në një analizë, Pireva e ka vendosur në qendër të vëmendjes katërshen Ballkani, Prishtina, Drita dhe Gjilani, ndërsa ka bërë edhe një vlerësim të drejtëpërdrejtë për gjendjen e ekipeve.
“Ka me qenë mes tri këtyre skuadrave Ballkanit, Prishtinës edhe Dritës, por mundet me hy edhe Gjilani”.
“Domethënë si i katërt në garë për titull. Këto të katërta sigurt kanë me shku në Evropë. Njëra si fituese e titullit, njëra si fituese e Kupës edhe dy vendet e tjera”.
“Po domethënë katërshja e parë do të jetë kjo padyshim. E kush do bëhet kampion, jam mes Ballkanit dhe Prishtinës, por me shumë mundësi titulli ka me u kthy në Prishtinë”.
“Ka me u kthy në Prishtinë, për faktin se Afrim Tovërlani e ka një moment ku duhet me tregu edhe njëherë veten, pas disa aventurave jo të mira që i ka pasur në disa klube të Superligës”.
“Edhe të gjitha kushtet po besoj që janë plotësu. Prishtinën e kemi parë që ka qenë financiarisht shumë mirë, mos them më së miri, po ka qenë klubi që nuk ka pasur asnjëherë vonesa në gjysmësezonin e parë”, ka thënë Pireva.
Episodin e plotë me gazetarët e Telegrafit mund ta ndiqni në kanalin zyrtar të Telegrafit në YouTube./Telegrafi/


