Shkolla “Dëshmorët e Kaçandollit” mes sfidave të shumta
Drejtori i Arsimit i Komunës së Mitrovicës, Shefki Begu, ka vizituar Shkollën e Mesme të Ulët “Dëshmorët e Kaçandollit” në fshatin Kaçandoll, ku është pritur nga drejtori i shkollës, Safet Behrami, së bashku me stafin arsimor.
Gjatë kësaj vizite u diskutuan nga afër sfidat dhe vështirësitë me të cilat përballet kjo shkollë, ndër to numri tejet i vogël i nxënësve, gjithsej tre, mungesa e stafit adekuat, si dhe kushtet higjienike.
Drejtori Begu theksoi se këto problematika do të trajtohen me prioritet nga Drejtoria e Arsimit, duke shtuar se do të shqyrtohen mundësitë për mbështetje institucionale, me synimin e përmirësimit të kushteve të punës për stafin dhe krijimit të një ambienti më të përshtatshëm për nxënësit.
Nga Komuna e Mitrovicës u bë e ditur se vizita të tilla në institucionet arsimore do të vazhdojnë edhe në periudhën e ardhshme, në funksion të identifikimit të nevojave dhe avancimit të cilësisë në arsim. /Telegrafi/


