Shkëndija fiton në spektakël, Shkupi dështon sërish, Voska largohet nga fusha!
Java e 28-të në elitën e futbollit vendor solli emocione të shumta, gola spektakolarë dhe rezultate befasuese. Dueli mes Besës dhe Shkëndijës në Gostivar u shndërrua në një nga ndeshjet më të bukura të javës, ndërsa Shkupi pësoi sërish në terrenin e vet, kësaj radhe nga Sileksi. Në Strugë pati dramë deri në minutat e fundit, ndërsa sfida në Ohër mes Voskës dhe Vardarit u ndërpre mes polemikave të mëdha, njofton Telegrafi.
Në Gostivar, u zhvillua një duel interesant mes Besës, një prej tri skuadrave më të rrezikuara për rënie nga liga, dhe liderit aktual, Shkëndijës. Ishte një ndeshje me shumë gola dhe lojë të bukur. Besa e nisi vrullshëm, duke kaluar në epërsi në minutën e 12-të me golin e Selmanit. Megjithatë, Shkëndija barazoi shpejt me Besart Ibraimin, i cili realizoi saktë nga pika e bardhë. Pak minuta më vonë, Tamba shënoi për 1-2, rezultat me të cilin skuadrat shkuan në pushim.
Në pjesën e dytë, sërish Selmani ishte protagonist, duke barazuar rezultatin për Besën. Por dhjetë minuta para fundit, Merxhani u shfaq nga prapavija dhe shënoi golin vendimtar, pas një asisti të bukur nga Ibraimi. Shkëndija menaxhoi me maturi minutat e mbetura dhe siguroi tri pikë të mëdha në garën drejt titullit kampion, ndërsa Besa vazhdon betejën për mbijetesë.
Shkupi nuk arriti të rikthehet te fitorja, edhe pse pritej që këtë ta bënte në terrenin e vet. Çairasit u mposhtën nga Sileksi në një tjetër zhgënjim për tifozët e tyre. Shpresat për fitore u ndezën pas një supergoli të Ansah, por historia u përsërit si ndaj Gostivarit. Sileksi barazoi me një gol shumë të kontestuar, me dyshime për pozitë jashtë loje të Gjorgjievskit. Fitoren dhe pikët e plota për Sileksin i siguroi Aliç në minutën e 69-të, me ndihmën e madhe të portierit Denkovski, që reagoi dobët.
Një tjetër duel i zjarrtë u zhvillua në Strugë, ku vendasit ishin pranë humbjes, por arritën të shpëtojnë një pikë në fund. Mysafirët kaluan në epërsi me golin e Kalanoskit, por në minutën e 86-të, zëvendësuesi nga Nigeria, Kehinde, barazoi. Pak para përfundimit, Diata i Gostivarit u ndëshkua me karton të kuq për sjellje jo sportive. Ndeshja përfundoi me rezultat 1-1, rezultat që nuk i shkon për shtat asnjërës ekip.
Polemika dhe tensione pati edhe në Ohër, ku sfida Voska Sport – Vardari nuk arriti të përfundojë. Në minutën e 76-të, ekipi i Voska Sportit u tërhoq nga fusha në shenjë proteste ndaj golit të barazimit të Vardarit, të shënuar nga Duranski në minutën e 71-të. Goli ishte shumë i dyshimtë dhe do të kërkonte ndërhyrjen e teknologjisë VAR, e cila ende mungon në futbollin tonë. Voska kaloi e para në epërsi me golin e Oseit, por pas polemikave, drejtuesit dhe trajneri vendosën të mos e vazhdojnë ndeshjen.
Në takimet e tjera të javës, Rabotniçki mposhti Pelisterin me rezultat 2-1, ndërsa Tikveshi triumfoi me të njëjtin rezultat ndaj AP Brerës. /Telegrafi/
Ja rezultatet e javës së 28-të në Ligën e Parë të Maqedonisë së Veriut:
Besa 1976 – Shkëndija 2-3, Shkupi – Sileksi 1-2, Struga – Gostivari 1-1, Voska Sport – Vardari (ndeshja ndërpritet në minutën e 76-të, rezultati në atë moment 1-1), Rabotniçki – Pelisteri 2-1 dhe Tikveshi – AP Brera 2-1.
Java e 29-të (27 prill, ora 16:00): Shkëndija – Shkupi, Sileksi – Struga, Vardari – Besa, AP Brera – Voska, Gostivari – Rabotniçki dhe Pelisteri – Tikveshi.


