Shkëlqeu në fitoren e Dukagjinit, Dienit Isufi më i miri i javës së 29-të
Federata e Futbollit e Kosovës, në bashkëpunim me sponsorin zyrtar të Superligës, Albi Mall, vazhdon ndarjen e çmimit tradicional “Ylli i Javës”, i cili i dedikohet futbollistit më të dalluar të javës në Superligën e futbollit kosovar.
Për javën e njëzet e nëntë të këtij edicioni, ky çmim i është ndarë për herë të dytë futbollistit të KF Dukagjini, Dienit Isufi, i cili shënoi një gol dhe, nga ndërhyrja ndaj tij, skuadra e tij fitoi penallti në ndeshjen kundër SC Gjilani, e cila përfundoi me rezultatin 2:3, duke i siguruar ekipit të tij tre pikë shumë të rëndësishme.
Vlerësimi është bërë nga Komisioni i Veteranëve të Futbollit.
Pasi mori këtë çmim, Isufi u shpreh i lumtur që u vlerësua si lojtari më i mirë i javës.
“E kemi pasur një ndeshje të rëndësishme kundër Gjilanit dhe këto tri pikë na kanë dhënë vetëbesim që ta presim Ballkanin në mesjavë për kupë, po ashtu na japin edhe qetësi në vijim të kampionatit".
"Synimi ynë është fitimi i Kupës së Kosovës, në mënyrë që të dalim në Evropë, dhe shpresoj që do ta arrijmë këtë qëllim. Loja akoma nuk ka mbaruar dhe kemi koncentrim maksimal".
"Për vlerësimin si më i miri i javës, falënderoj familjen time, bashkëlojtarët dhe gjithë stafin e KF Dukagjinit, sepse pa ta performanca ime individuale do të ishte e pamundur.“ tha ai për faqen zyrtare të FFK-së./Telegrafi/


