Please enter at least 3 characters.

“Shërbëtorja e Shenjtë e Kentit” që profetizoi vdekjen e mbretit Henri VIII

Detaj i “Portretit të një gruaje” nga Lucas Cranach Plaku, që paraqet një pikturë të epokës Tudor të një murgeshe të re me petkun e urdhrit fetar
(Getty Images)

Në shekullin XVI, shërbëtorja Elizabeta Barton u bë një vizionare e famshme - por, kur sfidoi monarkun, ajo pagoi çmimin më të lartë me një fund të tmerrshëm. A ishte sharlatane apo një heroinë e guximshme e botës së Tudorëve?

Nga: Molly Gorman / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com

Në një fshat të vogël në Kent, në Angli në vitin 1525, një shërbëtore me emrin Elizabeta [Elizabeth] Barton u sëmur rëndë. Në delir, murmuriste pjesë nga Bibla. Më pas, nisi të binte në ekstaza - të cilat ishin përjetime dramatike, të ngjashme me krizat epileptike - dhe të shqiptonte profeci fetare. Lajmi për zbulesat e saj u përhap shpejt dhe njerëzit vërshuan për ta parë këtë grua të re enigmatike.

Pasi Bartoni ra publikisht në një ekstazë që zgjati me orë të tëra dhe që më pas, gjoja, e shëroi atë nga sëmundja, ajo u shpall “vizionare e mirëfilltë”. Një dëshmitar okular, nga mijëra të pranishëm, ka thënë: “Fytyra e saj ishte çuditërisht e shpërfytyruar, gjuha i varej jashtë dhe sytë i ishin, si të thuash, të dalë nga vendi”.

Më pas Bartoni hyri në një manastir të vogël murgeshash në Kanterberi dhe vazhdoi të ushtronte një ndikim të jashtëzakonshëm në Anglinë e Tudorëve - figura të larta fetare, fisnikë dhe madje edhe vetë mbreti Henri VIII kërkonin këshillën e saj. Por, profecitë e saj - të cilat morën një karakter politik gjithnjë e më të rrezikshëm - çuan në rënien e saj tragjike. Tani, një libër i sapobotuar në format xhepi, Heroinat e botës Tudor [Heroines of the Tudor World], rivlerëson rëndësinë e saj.

Rritja e popullaritetit të Bartonit përkoi me Reformacionin (ndarjen midis katolikëve dhe ndjekësve të reformatorëve protestantë), i cili kishte mbërritur në Angli. Deri në vitet 1520, idetë protestante - që kritikonin pasurinë e Kishës Katolike dhe sfidonin pushtetin e Papës - ishin përhapur nga Evropa kontinentale.

Në kishën rurale Zoja Jonë në Kort-në-Strit të Kentit, shërbëtorja e re Elizabeta Barton pretendoi se ishte shëruar në mënyrë mrekullibërëse(Alamy)

Shumë katolikë ishin të shqetësuar. “Ata e shihnin të gjithë këtë si kërcënim për mënyrën e tyre të jetesës dhe do të inkurajohej çdo gjë që i ndihmonte ata ta luftonin atë kërcënim”, thotë Sharon Bennett Connolly, autore e Heroinave të botës Tudor. Duke e parë Bartonin si një vegël të fjalës së Zotit, njerëzit i përhapën gjerësisht zbulesat e saj - si gojarisht, ashtu edhe me shkrim.

“Të gjithë e merrnin seriozisht. Nëse vizionet e saj ishin të vërteta apo jo, njerëzit u besonin atyre”, i thotë Connolly, BBC-së.

Përveç mbështetjes që gëzonte nga njerëzit e zakonshëm, “Shërbëtorja e Shenjtë e Kentit” ose “Murgesha e Kentit” - siç ishte bërë e njohur Bartoni - kishte lënë përshtypje te disa murgj dhe figura të shquara fetare, përfshirë ministrin kryesor të mbretit, kardinalin Uolsi, si dhe kryepeshkopin e Kanterberit. Më pas, lajmi iu përcoll Sër Tomas Morit - lordit kancelar me ndikim te mbreti Henri. Mori, pasi u takua me Bartonin, tha se dëshironte të ishte dëshmitar i “virtytit të saj të madh”, për të cilin kishte dëgjuar “prej kaq shumë vitesh”.

Por, më vonë lordi kancelar i shkroi asaj duke e paralajmëruar që të mos fliste kurrë për mbretin ose për çështjet e tij personale.

Më pas Bartoni vazhdoi të gëzonte përkrahjen personale të mbretit dhe u takua me të shumë herë, duke u afruar për shkak të katolicizmit të tyre të devotshëm (Henri mbeti katolik për pjesën më të madhe të jetës së tij). Megjithatë, dëshira e Henrit për t'u divorcuar, për t'u rimartuar dhe për të pasur një trashëgimtar mashkull, binte drejtpërdrejt në kundërshtim me doktrinën katolike. Një pjesë e madhe e profecive të saj ishte kundër shkëputjes nga Roma dhe ajo e mbështeste me zjarr Katarinën e Aragonës. Madje, Bartoni i shkroi Papa Klementit, duke e paralajmëruar se do të kishte një murtajë nëse ai do të kthehej kundër Katarinës.

Profecitë e Bartonit çuan në besimin e përhapur në atë kohë se ajo ishte vizionare e mirëfilltë(Getty Images)

Figura të larta në Kishën Katolike besonin se Bartoni mund të ushtronte ndikim mbi mbretin dhe “ta pengonte atë të ndiqte një drejtim veprimi që i tmerronte ata”, thotë Diane Watt, profesoreshë e letërsisë mesjetare angleze në Universitetin e Sarit në Mbretërinë e Bashkuar dhe autore e librit Gratë profete në Anglinë e Mesjetës së vonë dhe të hershme moderne [Women Prophets in Late Medieval and Early Modern England].

Një udhëheqëse e rezistencës

Kjo i ka shtyrë disa të argumentojnë se e ashtuquajtura Shërbëtorja e Shenjtë e Kentit nuk ishte asgjë më shumë sesa një kukull e Kishës Katolike dhe se ajo manipulohej, thotë Watti.

“Mendoj se ky perceptim i saj si një sharlatane dhe figurë kukull është pikërisht perceptimi që kundërshtarët e saj donin që ne të kishim. Unë mendoj se ajo ishte një grua jashtëzakonisht e talentuar dhe karizmatike”, i thotë Watti, BBC-së. Një interpretim tjetër është “ta shohësh atë si udhëheqëse të rezistencës kundër divorcit dhe rimartesës së Henrit, në vend që ta shohësh thjesht si kukull të njerëzve të tjerë”.

Në ekranizimin nga BBC-ja të romanit “Salla e ujkut” [Wolf Hall] të Hilary Mantelit, Bartoni u interpretua nga Aimee-Ffion Edwards(BBC)

Vlen të duhet se në Evropën mesjetare ishin disa mistike dhe vizionare me ndikim - përfshirë Shën Brixhidën e Suedisë dhe Shën Katarinën e Sienës - të cilat kishin qasje te mbretërit dhe madje edhe te Papa. Në Angli, Juliana e Norviçit dhe Marxheri Kempe ishin vizionare të njohura të shekullit XV, megjithëse nuk arritën të njëjtin nivel popullariteti si Bartoni, thotë Watti.

Pa ashtu, ajo kishte lindur shërbëtore - ndërsa mistikët zakonisht vinin nga një shtresë më e lartë shoqërore. “Përveçse nëse ishe mbretëreshë ose një anëtare vërtet e jashtëzakonshme e shtresave të larta apo e aristokracisë, gratë në të vërtetë nuk kishin zë politik”, thotë Watti. “Misticizmi dhe profecia, nëse kishe mbështetjen e Kishës, mund t'u jepnin grave mundësinë të ndërhynin në çështjet politike”.

Sfidimi i mbretit

Dhe, ajo ndërhyri. Fillimisht pretendoi se kishte marrë një zbulesë nga Zoti sipas së cilës Henri nuk do të jetonte më shumë se shtatë muaj nëse martohej me Anën, dhe më pas se ai nuk do të ishte mbret pas një muaji nëse martohej me të. Ajo nuk saktësoi se si ose pse. “Ajo po ecte mbi një vijë shumë, shumë të hollë”, thotë Connolly.

Ishte një veprim i guximshëm. Ajo që ishte e jashtëzakonshme, shton Connolly, ishte “ideja se kjo grua e re ... mund t'i dilte përballë një mbreti dhe t'ia thoshte këtë”. Sipas Aktit për Tradhtinë të vitit 1351, parashikimi i vdekjes së një mbreti përbënte tradhti.

Mbreti dhe Ana ishin aq të shqetësuar nga profecia, saqë në tetor të vitit 1532, gjatë rrugës për në Kale, e vizituan Bartonin në Kanterberi, në përpjekje për të fituar miratimin e saj. Henri i ofroi ta bënte abateshë nëse ajo do të heshtte për çështjen e martesës së tij, ndërsa Ana i ofroi një vend në oborrin e saj. Bartoni i refuzoi të dyja, duke shkaktuar zemërimin e mbretit - por, kjo nuk e ndaloi atë të martohej me Anën në janar të vitit 1533.

Dhe, me kalimin e muajve, u bë e qartë se profecitë nuk po bëheshin realitet.

“Pretendimi i rremë i Shërbëtores së Shenjtë të Kentit”, një ilustrim rreth vitit 1534, e paraqet Bartonin në një gjendje të ngjashme me ekstazën(Getty Images)

Ajo u dërgua në Kullën e Londrës për t'u marrë në pyetje nga Tomas Kromueli, ministri i ri kryesor i mbretit, ku pranoi se nuk kishte marrë kurrë një zbulesë nga Zoti. “Pikërisht për këtë arsye ajo vazhdon të na magjepsë, sepse nuk e dimë nëse pati apo jo vizione”, thotë Connolly. “Nëse gënjeu, ishte shumë e zgjuar dhe arriti të mashtronte një numër jashtëzakonisht të madh njerëzish”.

Nëse u manipulua - ose u detyrua - të rrëfehej, këtë nuk do ta dimë kurrë, ashtu siç nuk do ta dimë kurrë nëse ishte një profetë e vërtetë.

Një fund i tmerrshëm

Më 20 prill 1534, Bartoni dhe gjashtë nga mbështetësit e saj besnikë, përfshirë rrëfimtarin e saj Eduard Boking, u ekzekutuan me varje dhe prerje koke në trekëmbëshin e Tajbërnit. Ajo ishte vetëm 28 vjeçe.

Më pas, koka e saj e prerë u ngul në një ushtë dhe u ekspozua mbi portën jugore të Urës së Vjetër të Londrës. Kjo traditë makabre, e praktikuar nga rreth shekulli XIV deri në fund të shekullit XVII, ishte një paralajmërim i ashpër dhe i zymtë për tradhtarët. Sër Tomas Mori, Tomas Kromueli dhe Gaj Foksi janë shembuj të tjerë të njohur të tradhtarëve kokat e prera të të cilëve u ekspozuan. Megjithatë, Shërbëtorja e Shenjtë e Kentit është e vetmja grua për të cilën dihet se i ndodhi një gjë e tillë.

Përveç këtij veçimi të zymtë, Bartoni ka një rëndësi të vërtetë, thotë Connolly. “Një grua e re nga Kenti, me shumë pak arsimim, arriti t'i tërhiqte njerëzit pas ideve të saj. Ajo tregoi se çfarë mendonin njerëzit e zakonshëm në atë kohë”.

“Portreti i një gruaje” nga Lucas Cranach Plaku shfaqet në kopertinën e romanit të vitit 2026, “Libri i humbur i Elizabeta Bartonit” [The Lost Book of Elizabeth Barton], nga Jennifer N. Brown(Getty Images)

Fatkeqësisht, versioni i ngjarjeve nga ana e Bartonit është fshirë në masë të madhe nga historia. Nuk dihet të ketë mbijetuar asnjë nga shkrimet e saj, as rrëfimet e ndjekësve të saj. Kromueli u kujdes që 700 kopje të një libri me zbulesat e saj, të shkruar nga Bokingu, të sekuestroheshin pas shtypjes dhe të shkatërroheshin. Edhe një broshurë e mëvonshme, që ishte planifikuar të shpërndahej, u shkatërrua.

Studiuesit shpresojnë që një ditë zbulesat e saj do të gjenden - madje, një roman i ri me mister vrasjeje përfytyron një botë në të cilën një historian bën këtë zbulim epokal.

Mbetet për t'u parë nëse kjo do të ndodhë. Ajo që na ka mbetur janë dokumentet zyrtare shtetërore të njerëzve si Kromueli dhe këndvështrimi i njëanshëm protestant për të - se ajo ishte një “sharlatane”, thotë Watti.

“Ky këndvështrim negativ për Bartonin ka ndikuar vërtet në librat e historisë dhe kjo është arsyeja pse ajo ka përfunduar duke u bërë mjaft e panjohur, sepse shumë pak njerëz kanë dashur të mbrojnë çështjen e saj”, thotë ajo. “Shpresoj që një ditë ai libër i humbur me zbulesat e Elizabeta Bartonit të dalë vërtet në dritë”. /Telegrafi/