Please enter at least 3 characters.

ShBA-ja duhet ta fitojë garën energjetike me Kinën

Mijëra pasqyra fokusojnë dritën e diellit drejt kullave qendrore, për të prodhuar energji elektrike në centralin diellor Ivanpah, brenda Rezervatit Kombëtar Mohavi (Ivanpah, Kaliforni, 23 maj 2026).

Foto: Etienne Laurent / AFP via Getty Images

Nga: Robert O'Brien / Newsweek
Përkthimi: Telegrafi.com

Mbyllja e Ngushticës së Hormuzit ka bërë të qartë se Shtetet e Bashkuara nuk mund të mbështeten te entitetet e huaja për nevojat e veta energjetike, qoftë për lëndët djegëse fosile, energjinë bërthamore apo burimet e rinovueshme.

Bota është një vend i rrezikshëm dhe i paparashikueshëm. Paqëndrueshmëria në çdo vend ose rajon, mijëra kilometra larg, mund të shkaktojë efekte zinxhirore që ndikojnë te punëtorët amerikanë dhe dëmtojnë ekonominë tonë. Pikërisht për këtë arsye, presidenti Trump i ka dhënë përparësi rikthimit të epërsisë energjetike amerikane dhe uljes së varësisë prej burimeve të paqëndrueshme të huaja.

Presidenti e kuptoi herët këtë cenueshmëri. Politikat e tij ndihmuan që Shtetet e Bashkuara të bëheshin eksportuese të energjisë gjatë mandatit të tij të parë, dhe tani ai po ndërmerr hapa për të zgjeruar edhe më tej prodhimin vendas dhe qëndrueshmërinë e rrjetit energjetik.

Fatmirësisht, burimet e bollshme të energjisë janë diçka që ne tashmë i kemi brenda kufijve tanë. Duhet t’i vëmë në përdorim që të gjitha ato. Kjo përfshin edhe energjinë diellore.

Epërsia në energjinë diellore, si pjesë e një qasjeje që përfshin të gjitha burimet energjetike, është veçanërisht e rëndësishme duke pasur parasysh implikimet e saj për sigurinë kombëtare në konkurrencën tonë me Kinën. Kina po punon në mënyrë agresive për të dominuar prodhimin global të paneleve diellore dhe të zinxhirëve të furnizimit me bateri. Nëse ShBA-ja nuk arrin të udhëheqë në këtë fushë, rrezikojmë të zëvendësojmë një formë varësie energjetike me një tjetër, këtë herë nga një burim energjie që kontrollohet nga Pekini.

Kina po i kushton rëndësi prodhimit të energjisë diellore pjesërisht sepse e njeh kapacitetin unik për të ruajtur dhe magazinuar energjinë diellore në bateri. Sipas Departamentit Amerikan të Energjisë, kjo energji e ruajtur elektrike mund të përdoret në çdo kohë, edhe “pasi dielli të ketë perënduar,” duke e bërë këtë burim energjie, në fakt, “një dëftesë sigurimi për ditët me diell.”

Energjia diellore, e kombinuar me teknologjinë e ruajtjes së energjisë, nuk është vetëm e përballueshme. Është gjithashtu burimi i energjisë që ndërtohet më shpejt nga gjithë ata që janë aktualisht në dispozicion, duke na lejuar të rrisim kapacitetin energjetik në një pjesë të kohës që nevojitet për të zgjeruar burimet e tjera. Në rast të një emergjence të sigurisë kombëtare, hartuesit e politikave duhet të sigurohen që ShBA-ja, jo Kina, të kenë epërsinë në këtë aspekt.

Kina dhe kundërshtarët e tjerë të rreshtuar me Iranin po garojnë për ta tejkaluar ShBA-në në prodhim, me synimin për të fituar ndikim vendimtar mbi sigurinë tonë ekonomike. Siç vëren një raport i fundit i revistës Time: “Sot, mjetet për ta përdorur energjinë si armë janë më të gjera dhe më të larmishme. Vendet nuk mbështeten më vetëm te ulja e prodhimit ose ndërprerjet fizike të furnizimit. Ato përdorin gjithashtu një gamë më të gjerë instrumentesh - kontrollin mbi infrastrukturën, rrugët e transportit detar, sistemet financiare, tregtinë dhe zinxhirët kritikë të furnizimit.”

Nëse energjia mund të përdoret si armë kundër nesh, ShBA-ja duhet të jetë në një pozicionin ku kontrollon furnizimin e vet energjetik. Kjo do të thotë të prodhojmë më shumë energji brenda vendit, nga çdo burim i qasshëm.

Për të rigjallëruar industrinë prodhuese amerikane për shekullin XXI, duhet gjithashtu të bëjmë më shumë për të diversifikuar zinxhirin tonë të furnizimit dhe për të rritur furnizimin e brendshëm me metale të rralla që janë thelbësore për teknologjitë e energjisë së rinovueshme.

Aktualisht, Kina kontrollon 70 përqind të nxjerrjes së metaleve të rralla në botë dhe 90 përqind të përpunimit të tyre. ShBA-ja nuk duhet të varet nga fuqia armiqësore për bateritë dhe materialet e tjera që furnizojnë sistemet tona moderne energjetike. Litiumi, për shembull, përdoret për automjetet elektrike dhe bateritë për dronë e armët e tjera të avancuara. Megjithatë, Kina dominon tregun global të litiumit. Nëse ShBA-ja arrin ta zhvendosë prodhimin e litiumit brenda vendit, kjo do të forcojë qëndrueshmërinë tonë ekonomike dhe pozitën tonë si lider global.

Ne duhet gjithashtu të modernizojmë rrjetin tonë energjetik dhe të mos mbështetemi te burimet e centralizuara të energjisë që mund të ndërpriten nga të tjerët. Na nevojitet një rrjet i larmishëm dhe i shpërndarë, i cili është më i vështirë të nxirret jashtë funksionit gjatë ndonjë krize.

Presidenti Trump po bën pikërisht këtë - duke punuar për të forcuar rrjetin kombëtar energjetik, ndërsa njëkohësisht rrit prodhimin e burimeve vendase të energjisë. Por, duhet të bëjmë më shumë për të kapërcyer pengesat burokratike që na pengojnë të zhvillojmë më shumë lloje energjie, përfshirë energjinë diellore.

Sa u përket lëndëve djegëse fosile, Shtetet e Bashkuara janë prodhues të naftës dhe gazit natyror, gjë që mbështet një industri të fuqishme që siguron jetesën e rreth 11 milionë amerikanëve. Nuk kemi nevojë të importojmë diçka që tashmë e kemi me bollëk.

Prodhimi vendas i energjisë nuk është vetëm çështje e krenarisë kombëtare; është burim kyç i stabilitetit ekonomik dhe i sigurisë kombëtare. Duhet të sigurohemi që ta trajtojmë vazhdimisht si të tillë. /Telegrafi/