Sërish kryeqendra e shijeve dhe muzikës, Prishtina Gastronomy Festival rikthehet nga 15 deri më 19 korrik.
Prishtina është gati të mirëpresë një tjetër verë plot shije, muzikë dhe atmosferë unike. Nga 15 deri më 19 korrik, sheshi "Adem Jashari" do të shndërrohet në destinacionin kryesor të gastronomisë dhe argëtimit, me rikthimin e Prishtina Gastronomy Festival 2026.
Nën moton "Bukë e Kripë e Zemërbardhë", festivali sjell edhe këtë vit një program të pasur që bashkon gastronominë, kulturën dhe muzikën në zemër të kryeqytetit. Për pesë ditë me radhë, vizitorët do të kenë mundësinë të provojnë specialitete tradicionale shqiptare, kuzhina ndërkombëtare, degustime të produkteve të ndryshme, gatime live nga partnerët e festivalit, si dhe aktivitete që e bëjnë këtë ngjarje një eksperiencë për të gjitha moshat.
Programi kulinar do të përfshijë emra dhe brende të njohura, degustime të produkteve nga partnerët pjesëmarrës, kuzhinën shqiptare dhe kuzhinat e huaja, si dhe aktivitete të vazhdueshme gastronomike përgjatë gjithë festivalit.
Programi artistik nis më 15 korrik me Albanian Night, një spektakël që vjen për herë të parë në Prishtinë, duke sjellë një kombinim të muzikës tradicionale, valleve dhe kulturës shqiptare. Në netët në vijim, skena e festivalit do të mirëpresë emra të njohur të muzikës shqiptare. Më 16 korrik do të performojnë Irma dhe Eranda Libohova, më 17 korrik publiku do të argëtohet me Sinan Vllasaliun, ndërsa më 18 korrik në skenë do të ngjitet një nga ikonat e muzikës popullore shqiptare, Bujar Qamili. Festivali do të mbyllet më 19 korrik me performancën e Klea Çutrës, duke përmbyllur pesë netë të mbushura me muzikë dhe atmosferë festive.
Prishtina Gastronomy Festival mbetet një nga ngjarjet verore që bashkon familjet, miqtë dhe vizitorët në një hapësirë të përbashkët, ku ushqimi, muzika dhe kultura krijojnë një eksperiencë unike në zemër të qytetit. Me aktivitete për fëmijë, programe kulinare, performanca artistike dhe degustimet e gastronomisë, festivali premton edhe këtë vit të jetë një nga ngjarjet më të frekuentuara të verës. Sigurisht, këndi i fëmijëve nuk do të mungojë as këtë vit, çdo natë të festivalit.
Nga 15 deri më 19 korrik, Prishtina ju pret në sheshin "Adem Jashari" për pesë ditë plot shije, muzikë dhe kujtime të reja. Sepse vera në kryeqytet ka një adresë, Prishtina Gastronomy Festival.


