Please enter at least 3 characters.

"Senatorët" e Kosovës: Kush shpëtoi e kush tashmë është rezervistë?

Kombëtarja e Kosovës ka pasur një paraqitje mbresëlënëse në fazën e kualifikimeve për Kupën e Botës 2026 me një epilog prej tri fitoresh, dy barazimesh dhe një humbje, duke siguruar vendin e dytë në Grupin B dhe një vend në ‘play-off’. Por, meritë të madhe pati përzgjedhësi Franco Foda, i cili bëri shumë ndryshime në formacion dhe rreshtim, duke mos i besuar më maksimalisht disa prej senatorëve të ekipit.

Kosova ka hyrë në një fazë të re konkurruese, ku konkurrenca është rritur dhe hierarkia brenda ekipit ka filluar të kristalizohet. Në qendër të vëmendjes janë “senatorët” – lojtarët me më shumë përvojë, të cilët për vite të tëra kanë mbajtur barrën e fanellës së Dardanëve.

Disa prej tyre mbeten të paprekshëm, ndërsa të tjerë po e ndiejnë presionin e brezit të ri.

Vedat Muriqi mbetet i padiskutueshmi absolut. Pavarësisht formës së ekipit apo sfidave të sulmit, “Pirati” është lojtari që Foda e ka të parin në letër.

Ai vazhdon të jetë lideri i padiskutueshëm, njeriu që e mban ekipin në lojë me gola, duele dhe prezencë fizike. Muriqi është më shumë se sulmues - është simbol i stabilitetit, i luftës dhe i identitetit të skuadrës.

Pas tij në këto kualifikime vjen Mërgim Vojvoda, i cili vazhdon të jetë një tjetër shtyllë e përhershme. Me paraqitje të qëndrueshme në krahun e djathtë dhe me një rol të rëndësishëm në balancimin e fazave të lojës, ai mbetet ndër më të besuarit e përzgjedhësit.

Edhe kur Kosova ndryshon sisteme loje apo rreshtimi në fushë, Vojvoda është ndër të vetmit që nuk lëviz nga formacioni.

Kapiteni Amir Rrahmani mbetet senator edhe kur mungon. Edhe pse lëndimet e kanë ndalur në disa ndeshje të fundit, pesha e tij në ekip është e jashtëzakonshme.

Me të në fushë, Kosova është shumë më e organizuar dhe më e qetë. Edhe kur nuk luan, prania e tij në kamp është një garanci lidershipi.

Në listën e senatorëve të vërtetë hyn edhe Arijanet Muric, portieri që për vite e ka mbajtur fanellën numër 1. Edhe pse kohët e fundit ka pasur më shumë konkurrencë në pozitën e portierit, Muric mbetet një prej figurave më të rëndësishme të grupit - i qetë, stabil dhe me peshë të madhe brenda zhveshtores.

Ndërkohë, Florent Muslija po ngjitet me shpejtësi në klubin e senatorëve. Ai ka qenë lojtari më i mirë i Kosovës në këto kualifikime, me kreativitet, gola, asistime dhe një ritëm që e ka mbajtur gjallë mesfushën. Performancat e tij e kanë vendosur në një nivel krejt tjetër në krahasim me vitet e kaluara.

telegrafi.com

Pastaj vijnë futbollistët që dikur ishin titullarë të padiskutueshëm, por sot janë më shumë në zonën gri mes formacionit dhe stolit.

Edon Zhegrova, një nga talentët më të mëdhenj që ka prodhuar Kosova, vazhdon të jetë vendimtar, por konkurrenca në sulm dhe luhatjet në formë shkaku i lëndimeve e kanë bërë të nisë ndeshjet nga banka në këto kualifikime. Ai mbetet faktor, por jo gjithmonë senator.

Milot Rashica, dikur fytyra e sulmit të Kosovës, ka humbur pak terren për shkak të formës së paqëndrueshme në klub.

Megjithatë, përvoja e tij dhe aftësia për të ndryshuar lojën e bëjnë ende një nga lojtarët që nuk mund të anashkalohet lehtë, edhe nëse nuk është titullari i përhershëm që dikur ishte.

Situata është e ngjashme edhe me Valon Berishën, mesfushorin që për vite ishte truri i skuadrës.

Sot, me ndryshimin e stilit të lojës dhe me mesfushorët e rinj (Leon Avdullahu dhe Elvis Rexhbecaj) që po marrin minutat e tyre, Berisha nuk gëzon më statusin e senatorit të padiskutueshëm. Por përvoja e tij është ende vlerë e madhe, sidomos në ndeshjet me presion të lartë.

Në listë është edhe Fidan Aliti, i cili për shumë vite ishte zgjidhja e parë në qendër të mbrojtjes.

Me konkurrencën e rritur dhe me ndryshimet taktike, roli i tij është lëkundur, por ai mbetet një lojtar i rëndësishëm për balancimin e prapavijës.

Në fund, një gjë është e qartë: Kosova po ndërton një skuadër më të fortë dhe më të thellë, por disa senatorë – Muriqi, Vojvoda e Rrahmani – mbeten themelet, ndërsa pjesa tjetër po lufton më shumë se kurrë për të mos humbur statusin që dikur e kishin të sigurt. /Telegrafi/