Selin kritikon Brikena Selmanin si moderatore: Minimalja që duhet të bësh është të studiosh
Ish-banorja e Big Brother VIP Kosova, Selin, ka komentuar së fundmi intervistën që Brikena Selmani zhvilloi me Gretën në emisionin "Top Arena", duke kritikuar si pyetjet e moderatores, ashtu edhe mënyrën e moderimit.
E ftuar në emisionin "Pushime on Top", Selin u ndal te momenti kur Brikena e pyeti Gretën nëse ajo dhe ish-banorët e tjerë vazhdonin ende të flisnin për të edhe pas përfundimit të eksperiencës së tyre në reality show.
Sipas Selinit, vetëvlerësimi është i rëndësishëm, por nuk duhet të krijojë bindjen se gjithçka sillet rreth një personi.
"Është në rregull kur e vetëvlerëson veten tënde, por njeriu duhet të qëndrojë me këmbë në tokë. Nëse dikush më ka thënë se bota nuk rrotullohet rreth teje, i kam thënë që e imja rrotullohet rreth meje", u shpreh ajo.
Megjithatë, Selin tha se pyetja e Brikenës ishte e panevojshme dhe se kishte pritur që Greta t'i përgjigjej ndryshe.
"Çfarë nuk më ka ardhur mirë ishte një pyetje totalisht pa lidhje dhe më vjen keq që Greta nuk i dha përgjigjen që duhej", deklaroi ajo.
Selin shtoi se, nëse një pyetje e tillë do t'i ishte drejtuar asaj, do të ishte përgjigjur pa hezitim. Ajo ngriti gjithashtu pikëpyetje se përse Brikena kishte zgjedhur ta pyeste Gretën për të, ndërkohë që kishte pasur mundësinë ta pyeste drejtpërdrejt.
"Nëse Brikena do të m'i kishte bërë mua ato pyetje, do t'i kisha dhënë përgjigjen. Nuk e di pse ajo zgjodhi të pyeste dikë tjetër. Në momentin që pyet dikë për mua, ndërkohë që mua më ke pasur aty dhe nuk më pyete, ose nuk je e gatshme ta dëgjosh përgjigjen time", tha Selin.
Ajo shtoi se nuk sheh arsye që emri i saj të vazhdojë të jetë temë diskutimi mes njerëzve me të cilët raporti i saj tashmë ka përfunduar.
"Nuk ka vend për të folur nëpër tavolina për një person me të cilin kam pasur marrëdhënie për aq sa ka zgjatur", u shpreh ish-banorja.
Në fund, Selin rezervoi kritikat më të forta për Brikena Selmanin në rolin e moderatores, duke theksuar se ajo mund ta kishte shfrytëzuar më mirë mundësinë që i ishte dhënë.
"Mendoj që mund ta kishte shfrytëzuar më mirë moderimin. Nëse aspiron të bëhesh moderatore, minimalja që duhet të bësh është të studiosh. Të studiosh figura që kanë vite në moderim, televizionin dhe rolin e gazetarit", deklaroi ajo.
Selin tregoi se edhe vetë ndjek vazhdimisht emisione dhe moderatorë të njohur për t'u përgatitur për atë që synon të bëjë në të ardhmen, ndërsa shtoi se kishte disa elemente në moderimin e Brikenës që nuk i kishin pëlqyer.
"Unë i përcjell të gjitha emisionet për atë që dua të bëj në të ardhmen, por nuk më kanë pëlqyer shumë gjëra", përfundoi ajo. /Telegrafi/


