Please enter at least 3 characters.

Rruga Unazore në Junik po finalizohet

Kryetari i Komunës së Junikut, Ruzhdi Shehu, ka vizituar punimet që po zhvillohen në rrugët “Shyt Idrizi” dhe “Ali Salihu”, në lagjen Berishë, duke theksuar se këto segmente janë pjesë kyçe e projektit për ndërtimin e Rrugës Unazore.

“Nuk ka vikend kur bëhet fjalë për transformimin e Junikut tonë. Sot isha në terren për të parë nga afër ecurinë e punimeve në rrugët ‘Shyt Idrizi’ dhe ‘Ali Salihu’, të cilat janë hallka të rëndësishme që po na çojnë drejt finalizimit të projektit madhor – ndërtimit të Rrugës Unazore”, ka deklaruar Shehu.

Ai ka theksuar se institucionet komunale janë të vendosura që punimet të vazhdojnë pa ndërprerje deri në përfundimin e plotë të projektit.

“Jemi të vendosur që të mos ndalemi asnjë ditë derisa të përfundojmë çdo detaj. Unaza e qytetit po bëhet realitet”, ka shtuar kryetari i Junikut.

Sipas Komunës së Junikut, realizimi i Rrugës Unazore do të ndikojë në përmirësimin e qarkullimit rrugor, lehtësimin e trafikut dhe zhvillimin urban të qytetit, ndërsa punimet pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim. /Telegrafi/