Please enter at least 3 characters.

Rritja e bullizmit në shkolla, psikologu Sadiku dhe pedagogu Zabeli flasin për sfidat dhe zgjidhjet

Gjatë një podcastit “Shëndeti në rend të parë”, e mbështetur nga United Hospital, psikologu klinik Visar Sadiku dhe pedagogu special Arben Zabeli kanë diskutuar për fenomenin e bullizmit në shkolla dhe sfidat me të cilat përballen institucionet arsimore në trajtimin e tij.

Psikologu Sadiku u shpreh se ndonëse ndër vite është rritur ndjeshëm informimi dhe identifikimi i formave të reja të bullizmit, dukuria në vend që të zvogëlohet po shënon rritje.

“Sa më shumë që po identifikojmë forma të reja të bullizmit, pavarësisht që po japim më tepër informacione, e kam përshtypjen që sa më shumë që po informojmë aq më shumë është rritur bullizmi, dhe kjo është atipike për shkak se ne do donim të kishim efektin e kundërt”, tha Sadiku.



Ai shtoi se problemi nuk qëndron në mungesën e profesionistëve, por shpesh në mungesën e vullnetit për t’u përfshirë në mënyrë aktive në trajtimin e rasteve.

“Shkollat në të vërtetë nuk është që nuk kanë psikolog ose persona që nuk merren me këtë çështje, por shpesh herë u mungon vullneti. Dhe kur flasim, ne i japim të dhëna kolaterale, pyesim prindin, mësuesin, vëllai, motrën, etj., konkretisht të viktimës së bullizmit. Shohim që psikologu mund ta ketë takuar vetëm njëherë dhe realisht në këto rrethana nuk kërkojmë të bëjmë terapi individuale. Në rastet e bullizmit kërkohet njëfarë intervenimi grupor, sepse nuk janë një apo dy raste, janë shumë”, theksoi ai.

Sipas Sadikut, fokusi i punës nuk duhet të jetë vetëm tek fëmija i bullizuar, por edhe tek ai që ushtron bullizmin.

“Nuk duhet të punojmë vetëm me fëmijën e bullizuar, por me bullizuesin”, përfundoi psikologu.

Nga ana tjetër, pedagogu special Arben Zabeli theksoi rëndësinë e krijimit të një klime të mirë bashkëpunimi në shkollë, si mënyra më efektive për të parandaluar paragjykimet dhe bullizmin midis nxënësve.

“Zakonisht paragjykohen prej bashkëmoshatarëve atëherë kur nuk krijohet një klimë e mirë bashkëpunuese. Fatmirësisht, në shumë shkolla kjo pjesë nuk vërehet shumë pasi punohet që në klasën e parë nga ana e mësimdhënësve”, tha Zabeli.

Ai nënvizoi rolin e pazëvendësueshëm të mësuesve dhe veçanërisht të mësimdhënësve mbështetës, të cilët ndihmojnë në përfshirjen dhe përshtatjen e fëmijëve me nevoja të veçanta.

“Këtu luan një rol shumë të rëndësishëm mësimdhënësi. Fatmirësisht kemi mësimdhënës që krijojnë një klimë të mirë bashkëpunuese, dhe kjo është gjithpërfshirja e vërtetë – fëmijët me nevoja të veçanta janë pjesë e të gjitha aktiviteteve dhe plan-programeve. Megjithatë, mësimdhënësit mbështetës janë ende të paktë dhe ka mungesë. Një shkollë gjithpërfshirëse duhet patjetër të ketë një mësimdhënës mbështetës, sepse ai luan rol kyç në adaptimin e fëmijëve dhe në krijimin e kushteve që ata të ndihen të barabartë dhe të pranuar”, shtoi Zabeli.

Për më shumë shikoni podcastin e plotë "Shëndeti në rend të parë":

- YouTubewww.youtube.com

true