Please enter at least 3 characters.

Rrezikohet siguria e aviacionit civil në Janjevë, një person dyshohet se ia "drejtoi" laserin e gjelbër

Foto: Ilustrim

Policia e Kosovës ka iniciuar një rast për veprën penale "Rrezikim i sigurisë së aviacionit civil", pas pranimit të një informacioni për një incident që dyshohet të ketë ndodhur më 13 korrik 2026, rreth orës 21:50, në fshatin Janjevë të Lipjanit.

Sipas njoftimit policor, më 16 korrik 2026, në konsultim me prokurorin kompetent, është iniciuar rasti pasi policia kishte pranuar informacione se incidenti kishte ndodhur tri ditë më herët.

Hetimet për rastin janë në vazhdim.

Ndërkohë, sipas burimeve të Telegrafit incidenti dyshohet të ketë ndodhur kur piloti i një mjeti fluturues është përballur me një dritë laserike të gjelbër, e cila është drejtuar në drejtim të mjetit gjatë fluturimit.

Burimet bëjnë të ditur se rrezja e laserit dyshohet të jetë përdorur nga një person ende i paidentifikuar.

“Piloti i aviacionit ka pasur një incident me një dritë laserike ndaj një mjeti fluturues, (personi i paidentifikuar). Mjeti fluturues ka qenë duke lëvizur dhe një individ ka përdorur laser të gjelbërt drejt mjetit fluturues”, ka thënë nëj burim për Telegrafin.

Telegrafi i ka shkruar Policisë së Kosovës për detaje shtesë dhe do t'ju mbajë të informuar. /Telegrafi/