Please enter at least 3 characters.

Rrezik i shtuar nga ortekët në Brezovicë, ShKShMK apelon për kujdes maksimal

Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor i Kosovës (ShKShMK) ka njoftuar për rrezik të shtuar nga ortekët në zonën e Brezovicës, pas raportimit të një aksidenti orteku të ndodhur sot në një zonë jashtë shtegut të rregulluar.

Sipas njoftimit, orteku është iniciuar nga disa skitarë, por fatmirësisht personat e përfshirë kanë shpëtuar pa lëndime trupore.

ShKShMK bën të ditur se më 18 janar 2026, gjatë kontrollimit të shtresave të borës në zonën e Brezovicës, teknikët e kërkim-shpëtimit kanë identifikuar dy shtresa problematike të borës.

Shtresa më shqetësuese, sipas tyre, është ajo bazë mbi vegjetacion, e njohur si “Ground-based Persistent Weak Layer – Depth Hoar”.

Si pasojë e reshjeve të fundit të borës, të shoqëruara me erëra të forta nga juglindja, janë krijuar akumulime të shtresave të konsoliduara të borës, të cilat kanë rritur peshën dhe presionin mbi shtresat e dobëta ekzistuese. Bazuar në vlerësimin aktual, ky kombinim faktorësh ka krijuar kushte të pafavorshme dhe rrezik të shtuar për ortekë.

Shërbimi i Kërkim-Shpëtimit Malor apelon për kujdes maksimal gjatë skijimit dhe aktiviteteve bjeshkatare, veçanërisht në faqet veriore, duke theksuar se rreziku nuk përjashtohet as në orientime dhe pozita të tjera gjeografike.

Qytetarëve u rekomandohet që të shmangin lëvizjet jashtë shtigjeve të sigurta, të informohen paraprakisht për kushtet e borës dhe motit, të përdorin pajisje adekuate të sigurisë dhe të mos veprojnë individualisht në terrene të rrezikshme./Telegrafi/