Please enter at least 3 characters.

Rrëfimi tronditës i Szczesnyt: Çdo pritje që bëj më dhemb, nuk mund ta mbaj as një shishe uji

Wojciech Szczesny ka bërë një rrëfim tronditës, duke zbuluar se prej më shumë se një dekade luan me dhimbje të vazhdueshme pas një dëmtimi të rëndë të pësuar gjatë kohës sa ishte pjesë e Arsenalit.

Portieri i Barcelonës pranoi se çdo pritje që bën shoqërohet me dhimbje, ndërsa zbuloi se kjo ishte arsyeja kryesore që vendosi t’i jepte fund karrierës përpara se të merrte telefonatën nga klubi katalanas.

Transferimi i Szczesnyt te Barcelona gjatë sezonit 2024/25 u konsiderua si një rikthim përrallor nga pensionimi, por portieri polak ka zbuluar tani realitetin e vështirë fizik që e ka shoqëruar gjatë gjithë karrierës.

Ai tregoi se i theu të dy krahët gjatë një seance stërvitore në palestër në kohën kur ishte te Arsenali në Londër, ndërsa pasojat e atij dëmtimi e kanë ndjekur gjatë aventurave te Roma, Juventus dhe tashmë edhe në ‘Camp Nou’.

Dhimbjet kronike ishin arsyeja kryesore pse ai vendosi të tërhiqej nga futbolli pas Euro 2024, pasi ngarkesa e futbollit profesionist ishte bërë gjithnjë e më e vështirë për t’u përballuar.

Në një intervistë në YouTube me ish-bashkëlojtarin e kombëtares polake, Grzegorz Krychowiak, portieri veteran shpjegoi se dëmtimi i rëndë që pësoi te Arsenali në vitin 2008 ndryshoi përgjithmonë karrierën e tij.

Ai zbuloi gjithashtu nivelin e dhimbjeve me të cilat përballet çdo ditë, si në ndeshje ashtu edhe në stërvitjet nën drejtimin e trajnerit Hansi Flick.

"Nuk mund ta kap topin pa ndjerë dhimbje. Nuk ka pasur asnjë gjuajtje që kam pritur pa ndjerë dhimbje. Thjesht jam mësuar me të, por është një ndjesi shumë e pakëndshme", tha Szczesny.

"Ndonjëherë më duhet ndihma e dikujt tjetër vetëm për t'i hequr dorezat. Nuk mund ta mbaj as një shishe uji pa më rënë nga dora dhe as ta hap kapakun e saj. Zakonisht më duhen rreth një orë që duart të më rikthehen në gjendje normale”, përfundoi ai./Telegrafi/