Roy Keane këshillon Tuchelin ta lë në bankë një yll të madh të Anglisë
Legjenda e Manchester Unitedit, Roy Keane, ka shprehur shqetësime për formën e Bukayo Sakas vetëm pak ditë para nisjes së Kupës së Botës 2026.
Ish-mesfushori irlandez beson se ylli i Arsenalit nuk po duket në nivelin që e bën një zgjedhje të padiskutueshme për formacionin titullar të Anglisë në ndeshjen hapëse ndaj Kroacisë.
Duke analizuar paraqitjen e Anglisë në miqësoren ndaj Kosta Rikës, Keane vuri në pah mungesën e rrezikshmërisë së zakonshme te Saka.
"Nuk e di. E vetmja gjë që kam parë nga Saka janë disa raste kur kishte mundësi të kalonte kundërshtarët, por për mendimin tim ai e ka humbur pak atë shkëndijë", deklaroi Keane.
Sipas tij, problemet fizike që sulmuesi anglez ka kaluar në fund të sezonit mund të kenë ndikuar në formën e tij aktuale.
"Koha nuk është e mirë nëse ai ka ende ndonjë problem fizik. Ndoshta kjo mund t’i kushtojë pak", shtoi ish-kapiteni i Manchester Unitedit.
Keane vazhdoi kritikat duke theksuar se Saka nuk po tregon më të njëjtën vendosmëri në situatat një kundër një.
"Mendoj se e ka humbur shkëndijën. Kishte disa raste pranë zonës ku mund të kalonte kundërshtarët dhe nuk e bëri këtë. Kjo mund të jetë pak shqetësuese për trajnerin", u shpreh ai.
Saka humbi disa javë në fund të sezonit për shkak të një dëmtimi, periudhë gjatë së cilës Noni Madueke mori më shumë hapësira në formacionin e Anglisë.
Përzgjedhësi Thomas Tuchel ka opsione të tjera në repartin ofensiv, por mbetet të shihet nëse ai e konsideron Sakën plotësisht të gatshëm për sfidën e parë të Anglisë në Kupën e Botës kundër Kroacisë.
Pavarësisht dyshimeve të Keane, Saka mbetet një nga lojtarët më të rëndësishëm të "Tre Luanëve" dhe pritet të ketë një rol kyç në ambiciet e Anglisë për sukses në Botërorin 2026. /Telegrafi/


