Please enter at least 3 characters.

Romani i harruar i vitit 1934 që paralajmëroi tmerret e Gjermanisë naziste

I botuar vite përpara Luftës së Dytë Botërore, romani parashikues i Sally Carsonit paraqet zanafillën e tiranisë naziste në një qytet të vogël gjerman - dhe mbetet aktual edhe sot.

Nga: Clare McHugh / BBC
Përkthimi: Telegrafi.com

Tetëdhjetë vjet pas Ditës së Fitores në Evropë, nuk është zbehur entuziazmi për temat e Luftës së Dytë Botërore.

Kërkesa për tregime nga Evropa e kohës së luftës, është rritur dukshëm që nga botimi i romanit të Anthony Doerrit, E gjithë drita që nuk mund ta shohim [All the Light We Cannot See], i shpërblyer me Çmimin Pulicer [Pulitzer] në vitin 2015 dhe më pas i përshtatur në një seri televizive nga Netflix-i. Tregime dashurie, tregime lufte, tregime të deshifruesve të kodeve, tregime rezistence, tregime nga kampet e përqendrimit - që të gjitha kanë përfunduar në listat e librave më të shitur në mbarë botën.

Ndërkohë që shumë romancierë të këtij nënzhanri janë mbështetur mjeshtërisht në dokumente, letra dhe dëshmi të shkruara tetë dekada më parë, është e pamundur që bota të shohë ndonjëherë një vepër të re letrare të bazuar në përvojë personale nga ajo epokë. Kjo është një nga arsyet se pse Kryqi i shtrembër [Crooked Cross], i ribotuar këtë pranverë nga [Shtëpia Botuese] “Persephone Books”, është jashtëzakonisht i veçantë. Autorja Sylvia "Sally" Carson, një e re angleze, u frymëzua nga vizitat te miqtë e saj në Bavari, në fillim të viteve ‘30 të shekullit XX, për të shkruar një roman rreth zanafillës së tiranisë naziste në një qytet të vogël gjerman.

Romancieri i njohur amerikan EL Doctorow, autor i Regtajmit [Ragtime], Billi Bathgejtit [Billy Bathgate] dhe veprave të tjera të vendosura në të kaluarën, ka thënë dikur: "Historiani do të të tregojë çfarë ndodhi. Romancieri mund të të tregojë se si ajo ndihej ". Dhe, arritja e Carsonit qëndron në paraqitjen e familjes fiktive Kluger, që banon pranë maleve në jug të Munihut dhe që gjatë një periudhe prej gjashtë muajsh - nga nata e Krishtlindjes 1932 deri në Natën e Mesverës 1933 - sheh se jeta e tyre po shkatërrohet.

Carson e shkroi me shpejtësi romanin Kryqi i shtrembër - titulli i referohet simbolit të svastikës të adoptuar nga nazistët. Ai u botua në vitin 1934, vetëm një vit pas ngjarjeve që përshkruan. Kritikat ishin shumë pozitive, dhe Carsoni e shndërroi romanin në një dramë teatrale që u shfaq për herë të parë në Teatrin e Birmingemit në vitin 1935, duke kaluar në Uest-End [West End] të Londrës dy vjet më vonë. Carsoni kishte një parashikim të jashtëzakonshëm për tmerret që do të vinin, por pas vdekjes së saj të parakohshme, në vitin 1941 nga kanceri i gjirit, romani i saj ra në harresë. Është i zgjuar dhe i mirëpritur vendimi i “Persephone Books” për ta ribotuar.

Sylvia "Sally" Carson (1902–1941) u frymëzua për të shkruar një roman mbi zanafillën e tiranisë naziste, në një qytet të vogël gjerman (Burimi: Persephone Books).

Kur Helmy dhe Lexa marrin përsipër zbukurimin e pemës - të dy vëllezërit dhe motra kanë qenë gjithmonë shumë të lidhur - atmosfera festive përshkruhet me saktësi, me një përmendje të shkurtër të “fotografisë së Hitlerit të Helmyt” e cila qëndron mbi piano, e stolisur me degë pishe, ashtu si gjithçka tjetër në shtëpinë e ngrohtë. Skena e mashtron lexuesin që të besojë, pavarësisht një fijeje kërcënimi të nënkuptuar, se asgjë nuk mund të thyejë këtë familje të ndershme, besnike dhe plot dashuri.

Një muaj më vonë, në janar 1933, Hitleri emërohet kancelar dhe fillon Machtergreifung-u - konsolidimi i pushtetit nga nazistët, siç e quajnë gjermanët. Brenda disa ditësh, Helmy shpërblehet për besnikërinë e tij të hershme ndaj nazistëve dhe premtimet e tyre për të bërë kombin përsëri të begatë, me një punë si sekretar lokal i partisë; ndërkohë Moritz, i cili ka një baba hebre, pushohet nga puna në klinikën e Munihut ku punon.

Carson shfaq dhembshuri për të gjithë personazhet, përkrah një vëzhgimi të mprehtë të dobësive shumë njerëzore të tyre. Helmy, një njeri i ndjeshëm dhe i ndërgjegjshëm, megjithatë bie në linjë me ideologjinë e ligësisë. Ai përpiqet ta bindë motrën që, në këtë realitet të ri, ajo duhet të ndërpresë fejesën dhe të mos e takojë më kurrë Moritzin. Lexa kundërshton, duke shpresuar se, në Berlinin e largët, Hitleri do të rrëzohet nga pushteti.

Por, në vend të kësaj, teksa lëndinat malore gjelbërojnë në pranverë, bota e familjes errësohet edhe më shumë. Erichu lë punën e tij poshtëruese për t’u bashkuar me këmishëkafenjtë dhe sillet me krenari nëpër qytet me uniformën dhe çizmet e tij ushtarake - prindërit Kluger ndiejnë krenari të madhe, edhe pse z. Kluger, veteran i Luftës së Parë Botërore, është i kujdesshëm ndaj mundësisë së një konflikti tjetër të përgjakshëm. Helmy, si idealist, merr pjesë në një miting nazist dhe mbetet i magjepsur. Carson shkruan: “Ai nuk pati asnjë paralajmërim për shkatërrimin që do të shkaktohej nga çlirimi i asaj fuqie për të cilën tani bërtiste me po aq zell sa të tjerët ... Hitleri për ta ishte si një shpëtimtar madhështor; një perëndi ... Krahët e tyre ngriheshin të gjithë në të njëjtin sinjal - një pyll krahësh të zgjatur me ngjyrë kafe, me gishta që tregonin drejt perëndisë së vogël me mustaqet si furçë dhëmbësh. Heil Hitler”!

Sylvia "Sally" Carson u frymëzua për të shkruar një roman mbi zanafillën e tiranisë naziste, në një qytet të vogël gjerman (Burimi: Persephone Books).

Moritzi, i privuar nga puna dhe të ardhurat, nuk lejohet më as të huazojë libra nga biblioteka publike dhe bie në dëshpërim të thellë. Duke kërkuar një mbrëmje pa brenga, Lexa e bind të shkojnë së bashku në një vallëzim. Në pistën e mbushur me njerëz, teksa kërcejnë fokstrot, të dy përplasen aksidentalisht me një çift tjetër. Moritz kthehet për të kërkuar falje. “Mallkuar qofsh! ... ti hebre i ndyrë … Largohu nga rruga”, bërtet burri tjetër.

Carsoni i kishte treguar gazetës Bradford Observer se i kishte dëgjuar po këto fjalë, të drejtuara ndaj partnerit të saj hebre, gjatë një mbrëmjeje vallëzimi, kur ata ishin me pushime në Bavari.

Në Natën e Mesverës, kur shpërthen haptas dhuna që ka zier nën sipërfaqe në këtë cep idilik të Gjermanisë, Lexa zgjedh përfundimisht dashurinë për Moritzin mbi çdo besnikëri tjetër - dhe pasojat janë shkatërruese. (Nëse flasim më shumë, do ta prishim tregimin.)

Romani, ndonëse merret vetëm me jetën e brendshme familjare, tregon se si një komb i qytetëruar mund të bie pre e autoritarizmit. Duke folur në emisionin Today në BBC Radio 4, Francesca Beauman - historiania që është shefe e redaksisë së “Persephone Books” - citoi një recension në Acton Gazette gjatë kohës së botimit të librit: “Kryqi i shtrembër është më i vërtetë se raportet me telegram; është më i drejtë se propaganda dhe më interesant”.

Jo të gjithë bashkëkohësit e Carsonit ishin të gatshëm të dëgjonin paralajmërimin e fshehur në Kryqin e shtrembër. Kur drama e saj u shfaq në teatrot e Londrës, në vitin 1937, disa në Britani e kritikuan si anti-gjermane, ndërsa zyra e Lord Chamberlainit insistoi që çdo “Heil Hitler” të hiqej nga dialogu. Një pjesë e madhe e establishmentit britanik në atë kohë shpresonte të bashkëjetonte paqësisht me regjimin luftënxitës të Berlinit.

Disa lexues do të shohin paralelizma me kohët moderne, veçanërisht me ngritjen e populizmit të djathtë në mbarë botën dhe prirjen e të rinjve për t’u joshur nga lëvizjet ekstremiste, ashtu si miliona vetë në Gjermaninë e viteve ‘30 të shekullit XX - të pavlerë, të mënjanuar apo të humbur. Por, pyetja e vërtetë që ngre Kryqi i shtrembër është personale: Çfarë do të bëje nëse njerëzit që ti i do fillojnë të përqafojnë idetë që ti i urren?

Tani që portreti i paharrueshëm i Carsonit për familjen tragjike Kluger ka dalë sërish në dritë, ai meriton një vend të përhershëm në kanonin në rritje të letërsisë për Luftën e Dytë Botërore. /Telegrafi/

P. S. Kryqi i shtrembër nga Sally Carson botohet nga Persephone Books që riboton vepra të lëna pas dore, letrare apo dokumentare, të shkruara kryesisht nga gratë. Clare McHugh është autorja e romanit historik, Nuset Romanov [The Romanov Brides].