Robelli: Mbi një poezi të Azem Shkrelit kushtuar një liqeni në Zvicër
Publicisti Enver Robelli ka publikuar një poezi të Azem Shkrelit e cila i kushtohet një liqeni në Zvicër.
Ai përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ka treguar se poezia me titullin “Dita në Sargans” i kushtohet qytetit të Sargansit dhe liqenit Walensee, ndër më të bukurit e Zvicrës.
"Kisha kohë që po e kërkoja këtë poezi të poetit tonë të madh Azem Shkreli (1938-1997). E gjeta tani duke gërmuar në kompletin e tij të veprave, 7 vëllime, botuar nga Shtëpia Botuese 'Faik Konica' në Prishtinë. Poezia me titullin 'Dita në Sargans' i kushtohet qytetit të Sargansit dhe liqenit Walensee, ndër më të bukurit e Zvicrës. 'Ma kujton Grykën e Rugovës', më tha njëherë Azem Shkreli në vitet 1990-të, kur vinte në Zvicër. Ishte kohë e vështirë: punëtorë, shkrimtarë, profesorë universiteti - të gjithë kishin mbetur pa punë në Kosovë si pasojë e represionit serb. Poetët vizitonin mërgatën, merrnin pjesë në aktivitete, lexonin ndonjë poezi, strehoheshin për dy-tri net nëpër banesa të ngushta mërgimtarësh, shkonin pastaj në qytete të tjera, përsëritej rituali i njëjtë, por solidariteti sa vinte e rritej", shkruan Robelli.
Ai po ashtu tregoi se Azem Shkreli e shkroi poezinë 'Nata e Mërgimtarëve' i prekur nga largimi masiv i njerëzve nga Kosova në vitet ’90, por me besimin se populli nuk do të nënshtrohej.
"Me dhimbje në shpirt për largimin masiv të njerëzve nga Kosova, me shqetësim në zemër e me besim se populli i tij nuk do të nënshtrohej, Azem Shkreli shkroi poezinë 'Nata e mërgimtarëve'. Aty apelon: 'Natë njëqindvjeçe, hape librin tënd, shkruaj / Nga fundi i botës po të vinë nipa plisbardhësh / Evropës t’i sjellin erë dheu, erë toke të jugut / Kokë më kokë për bukë e për luftë e për Londër / Zotër të mirë të mërgimit, mbushni shtambat / Pini verë të moçme ilire, pini e thuani Zonjë / E qytetëruar, rrudhe kindin, bëri vend robit / Të lirisë sate të madhërueshme, jepi pak nga / Bukuria jote, lere të të prekë në pendël të / Shpendit të vet, me futë të saj të ta shkruajë / Evropën, Anadollin, Amerikën, natë njëqindvjeçe / Shkruaj, Mërgim Bardha, Mërgim Curri, Mërgim / Këlmendi, Mërgim Mërgimi, po të vinë pa plisa / Të bardhë, do të kthehen me koka të bardha'".
Mirëpo siç sqaroi Robelli krahas dhimbjes poetin e mbanin nën tension artistik edhe motive të tjera, siç dëshmon poezia “Dita në Sargans”.
"Më 1993, kur e shkroi poezinë për liqenin Walensee, Azem Shkreli ishte 55-vjeçar. Një shkrimtar në kulmin e karrierës, por i penguar nga një regjim represiv për të bërë një jetë të dinjitetshme. Ardhja e poetit për ca ditë në Zvicër ishte një lloj çlirimi nga zymtësia që shkakonte terrori i policisë serbe në Kosovë. Lëvizja nëpër këtë vend dhe shijimi i bukurive të shumta të natyrës ishte, padyshim, edhe burim frymëzimi. Poezinë 'Dita në Sargans' po e sjell të përkthyer, për herë të parë, në gjuhën gjermane. Së pari mund ta lexoni versionin në origjinal, në ilirisht, siç i pëlqente të thoshte Azem Shkreli, pastaj gjermanisht. Në fotografi: Azem Shkreli gjatë një leximi në Zvicër nga libri i tij 'Lirikë me shi'. Në sfond flamuri kombëtar dhe ai i Zvicrës. Azem Shkreli ndërroi jetë më 27 maj 1997 - pak çaste pasi aterroi në Aeroportin e Prishtinës", ka shkruar ndër të tjera Robelli. /Telegrafi/


