Rikthimi në futbollin belg për t'u ringritur përsëri - Arbnor Muja flet për formën e shkëlqyer, objektivat dhe Kombëtaren e Shqipërisë
Arbnor Muja është një nga futbollistët shqiptarë që ka lënë gjurmë në futbollin belg. Vetëm një vit pas transferimit nga Drita te Antwerp, sulmuesi mitrovicas arriti të fitonte titullin dhe Kupën e Belgjikës, si dhe të luante në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve.
Pas një periudhe prej një viti e gjysmë në Superligën turke me Samsunsporin, Muja u rikthye në Belgjikë në fund të afatit kalimtar të verës, duke iu bashkuar Sint-Truiden, dhe rikthimi i tij ka rezultuar shumë pozitiv.
Në 9 ndeshje me STVV ai ka shënuar dy gola vendimtarë dhe ka rifituar vendin e tij në skenën belge.
Në një intervistë për Telegrafin, ylli shqiptar flet për formën e tij aktuale, objektivat personale dhe ato me klubin, largimin nga Turqia, por edhe për Kombëtaren e Shqipërisë.
27-vjeçari fillimisht tregoi pse mori vendimin për t'u rikthyer në elitën e futbollit belg.
"Vendimi ishte i lehtë edhe sepse ndjeva që ishte momenti i duhur për një hap të tillë. Belgjika është një ambient ku ndihem i vlerësuar, e njoh mirë stilin e lojës dhe kam bindjen që këtu mund të tregoj potencialin tim maksimal", tha fillimisht Muja për Telegrafin.
Muja e vlerëson shumë aventurën në futbollin turk, ku Samsunspor falë golit të tij në xhiron e fundit arriti të shkoj në Ligën e Konferencës, për herë të parë në histori të klubit.
"E vlerësoj shumë aventurën time të kaluar, sepse sezonin e shkuar shkruam histori duke u kualifikuar në Ligën e Konferencës. Për mua ishte një moment i paharrueshëm edhe goli vendimtar me Samsunsporin, i cili e dërgoi klubin në garat evropiane. Jam shumë i kënaqur me ato 18 muaj të kaluara në Turqi", tha Muja.
Duke folur për statusin e tij aktual dhe të ardhmen, Muja tha se ndihet i lumtur në Belgjikë.
"Aktualisht jam i huazuar te STVV, ndërsa mbetem ende lojtar i Samsunsporit. U riktheva në Belgjikë për shkak të stilit të futbollit, i cili më përshtatet dhe më ndihmon të rigjej veten. Futbolli turk më ka pëlqyer shumë, sidomos pasioni që ekziston atje, dhe natyrisht mundësia për t’u rikthyer tek Samsunspori gjithmonë ekziston. Por ndonjëherë një lojtar përshtatet më mirë në kampionate të tjera", vazhdoi tutje sulmuesi mitrovicas.
Sulmuesi shqiptar vlerësoi edhe ambientin te Sint-Truiden dhe gjendjen e tij aktuale. "Në Sint-Truiden ndihem shumë mirë. Kemi një ekip të ri dhe cilësor, po performojmë mirë si grup dhe kam përshtypjen që edhe unë kam gjetur veten përsëri".
Ai foli edhe për objektivat e tij personale dhe të ekipit për pjesën e mbetur të sezonit.
"Objektivi im personal është të rikthej plotësisht formën time, dhe besoj se jam në rrugën e duhur. Së bashku me ekipin, synojmë të arrijmë Play-Off, të luftojmë për pozitat që të çojnë në Evropë dhe pse jo, të shkojmë sa më larg edhe në Kupën e Belgjikës".
Muja komentoi edhe çështjen e rikthimit në Kombëtaren e Shqipërisë, duke u shprehur se ajo varet nga paraqitjet e tij.
"Sa i përket Kombëtares, gjithçka varet nga paraqitjet e mia. Mendoj se jam në drejtimin e duhur dhe shpresoj të jem pjesë e grumbullimeve të ardhshme", u shpreh Muja.
Në fund, ai dha mendimin e tij për sfidën e radhës të kuqezinjve ndaj Polonisë në Play-Off për kualifikim në Kupën e Botës.
"Sa për ndeshjen ndaj Polonisë, na pret një përballje shumë e vështirë, duke marrë parasysh forcën e tyre dhe faktin që luajmë në terrenin e tyre. Megjithatë, shanset ekzistojnë gjithmonë. Pres një luftë të madhe dhe shumë dëshirë nga ekipi ynë kombëtar— dhe besoj se mund ta marrim një fitore të madhe për të vazhduar ëndrrën për Kampionatin Botërorë", përfundoi Muja. /Telegrafi/


