Please enter at least 3 characters.

Rikthehet hyrja e Emergjencës në Spitalin e Pejës – vendoset sistem i ri i triazhimit dhe rregulla të rrepta funksionimi

Pas përfundimit të renovimeve, hyrja e Emergjencës në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës është rikthyer sot në lokacionin e saj të mëparshëm. Nga ora 14:00, të gjithë pacientët duhet të përdorin hyrjen tradicionale të këtij shërbimi.

Spitali ka njoftuar gjithashtu se nga sot ka hyrë në fuqi edhe sistemi i ri i funksionalizimit të Emergjencës, i bazuar në standardet moderne të triazhimit dhe menaxhimit të rasteve urgjente.

Sipas udhëzimeve të reja, çdo pacient do t’i nënshtrohet vlerësimit fillestar nga personeli i triazhës, ndërsa trajtimi do të bëhet sipas nivelit të urgjencës – me prioritet për rastet që paraqesin rrezik për jetën. Pacientët që nuk kategorizohen si urgjentë do të orientohen drejt QMF-ve apo specialistëve përkatës, përcjell Telegrafi.

Emergjenca do të fokusohet ekskluzivisht në trajtimin e rasteve akute dhe gjendjeve kritike, ndërsa hyrja në këtë shërbim do të lejohet vetëm për pacientët dhe një përcjellës, kur është e domosdoshme. Të afërmit apo personat e tjerë nuk do të lejohen të hyjnë në hapësirat e emergjencës.

Spitali paralajmëron se referimi i pacientëve pa indikacion emergjent nga mjekët e kujdesit parësor konsiderohet shkelje profesionale dhe mund të pasojë me masa disiplinore. Po ashtu, mosrespektimi i rregullave nga qytetarët ose personeli do të sanksionohet sipas legjislacionit në fuqi.

Sipas institucionit shëndetësor, këto masa synojnë krijimin e një shërbimi emergjent më efikas, më të sigurt dhe më profesional, duke garantuar trajtim të menjëhershëm për rastet me rrezik jete. /Telegrafi/