Rezultatet e PISA, ministrja Kumbaro zbulon objektivat: Një mijë laboratorë inteligjentë dhe kurrikula të reja
Ministrja e Arsimit e Shqipërisë, Mirela Kumbaro, ka komentuar rezultatet e testimit PISA 2025, duke thënë se ato tregojnë një përmirësim të rëndësishëm krahasuar me rezultatet e vitit 2022.
Në një intervistë për Vizion Plus, Kumbaro tha se përmirësimi është rezultat i ndryshimeve të ndërmarra gjatë viteve të fundit në kurrikula, trajnimin e mësuesve, metodologjinë e mësimdhënies dhe investimet në infrastrukturën arsimore.
“E krahasojmë njëherë veten me veten tonë, me rezultatet e mëparshme, por e krahasojmë edhe me të ngjashmit tanë në rajon”, deklaroi ajo.
Sipas Kumbaros, përveç matematikës, shkencës dhe leximit, është matur edhe aftësia e nxënësve për përdorimin e kompjuterit në zgjidhjen e problemeve.
Ajo bëri të ditur se në këtë kategori Shqipëria është renditur e para në rajon së bashku me Serbinë.
“Shqipëria kishte dalë e para në rajon bashkë me Serbinë, ndërkohë që më poshtë ishte Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Kosova, por edhe vende të tjera”, tha Kumbaro.
Ministrja foli edhe për ndikimin e inteligjencës artificiale në arsim, të cilin e cilësoi si një prej sfidave më të mëdha me të cilat po përballen sistemet arsimore në botë.
Sipas saj, sfida kryesore është gjetja e një balance ndërmjet përdorimit të inteligjencës artificiale për zhvillimin e mendimit kritik dhe mbrojtjes së fëmijëve nga pasiviteti që mund të shkaktojë keqpërdorimi i saj.
Kumbaro sqaroi se nuk ka ndonjë vendim për përdorimin e ChatGPT-së apo mjeteve të tjera të inteligjencës artificiale në shkolla. Ajo tha se është hartuar një udhëzim për mësuesit lidhur me mënyrën etike dhe metodologjike të përdorimit të këtyre teknologjive.
“Duam apo s’duam ne, nxënësit kanë të gjithë një celular, kanë të gjithë tableta, mësuesit gjithashtu kanë. Por nëse ne këtë e lëmë pa kontroll dhe nuk vendosim rregullat etike, rregulla të metodologjisë se sa, si dhe me kë duhet ta përdorim, rrezikojmë dhe gabojmë”, deklaroi ajo.
Duke folur për objektivat pas PISA 2025, Kumbaro tha se Ministria e Arsimit tashmë ka nisur analizimin e rezultateve, mbi bazën e të cilave do të përcaktohen synimet për testimin e ardhshëm.
Ajo paralajmëroi gjithashtu vazhdimin e ndryshimeve në kurrikulat e arsimit parauniversitar, ndërsa bëri të ditur se gjatë vitit 2026 pritet të përfundojnë 40 projekte për shkolla të reja ose të rindërtuara dhe se ka nisur puna për 40 projekte të tjera.
Sipas saj, objektivi i qeverisë është që deri në fund të mandatit shkollat të pajisen me 1 mijë laboratorë inteligjentë, ndërsa mësuesve të gjimnazeve t'u shpërndahen rreth 5,500 laptopë.


