Please enter at least 3 characters.

Refuzohet paraburgimi për 10 të pandehur në rastin e falsifikimit të votave në Mitrovicë

Gjykata Themelore në Mitrovicë, Departamenti për Krime të Rënda, njofton se ka refuzuar sot kërkesat e Prokurorisë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dhjetë të pandehurve të dyshuar për “falsifikim të rezultateve të votimit”.

Të pandehurit, të cilët përfshijnë R.J., L.H., N.D., A.N., B.F., H.S., Sh.N., Y.S., D.K. dhe S.S., do të vazhdojnë të mbrohen në liri.

Bëhet e ditur se gjykata ka vendosur se, në këtë fazë të procedurës, nuk janë përmbushur kushtet ligjore për paraburgim, duke siguruar respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të palëve në proces.

Rinumërimi ka përfunduar gjatë fundjavës që shkoi dhe KQZ-ja ka shpallur rezultatet përfundimtare.

Për shkak të dyshimeve për manipulim të votave, dhjetëra persona janë ndaluar dhe qindra të tjerë janë intervistuar në shumë rajone të Kosovës.

Po më 2 shkurt, autoritetet nisën hetime në Podujevë, pas dyshimeve për manipulim të votave të kandidatëve për deputetë.

Ndryshe, koordinatorja nacionale për zgjedhje në Kosovë, prokurorja e shtetit, Laura Pula, ka paralajmëruar se edhe kandidatët për deputetë që u ishin shtuar votat do të jenë objekt i hetimeve, ndonëse deri më tani nuk është bërë e ditur nëse ndonjë prej tyre është ftuar për intervistë në prokurori./Telegrafi/