Please enter at least 3 characters.

Real Madrid dhe PSG-ja japin “dritën e gjelbër” për Dayot Upamecanon

Real Madridi dhe PSG-ja janë të gatshëm t’i plotësojnë kërkesat financiare të Dayot Upamecanos, teksa gara për mbrojtësin francez pritet të ndizet gjatë verës.

Sipas gazetarit Santi Aouna, dy gjigantët evropianë – Real Madridi dhe Paris Saint-Germain – e kanë informuar qendërmbrojtësin se janë të gatshëm t’i ofrojnë pagën që ai kërkon, nëse vendos të largohet nga Bayern Munich në fund të sezonit.

Aktualisht, ende nuk ka një marrëveshje mes Bayernit dhe Upamecanos për rinovimin e kontratës. Kjo situatë ka hapur derën për interesimin konkret të klubeve të mëdha, që po ndjekin nga afër zhvillimet rreth të ardhmes së tij.

Real Madridi po e konsideron seriozisht afrimin e një qendërmbrojtësi të fuqishëm gjatë verës, sidomos për shkak të problemeve të shpeshta me lëndime të David Alabas dhe Eder Militaos. Klubi madrilen dëshiron më shumë stabilitet në prapavijë dhe profili i Upamecanos shihet si ideal për kërkesat e tyre.

Sipas Aouna, nuk përjashtohet mundësia që Real Madridi të ketë tashmë një marrëveshje paraprake me mbrojtësin francez edhe pse kjo ende nuk është konfirmuar zyrtarisht. Nga ana tjetër, PSG-ja mbetet një opsion shumë i fortë, duke qenë se dëshiron të forcojë repartin defensiv me një lojtar të nivelit të lartë dhe me përvojë në skenën evropiane.

Nëse Bayern Munich nuk arrin ta bindë Upamecanon të rinovojë kontratën, vera e ardhshme pritet të sjellë një betejë të fortë mes dy gjigantëve për shërbimet e njërit prej mbrojtësve më të kërkuar në Evropë./Telegrafi