Please enter at least 3 characters.

Reagimi i Usykut u bë viral pas rikthimit dramatik të Joshuas ndaj Prengës

Oleksandr Usyk u bë një nga personazhet më të komentuar të mbrëmjes, jo vetëm për praninë e tij pranë ringut, por edhe për reagimin emocional gjatë fitores dramatike të Anthony Joshuas ndaj boksierit shqiptar Kristian Prenga.

Joshua kaloi një nga sfidat më të vështira të karrierës së tij, pasi u rrëzua dy herë në raundin e parë nga Prenga.

Goditja e parë erdhi vetëm 20 sekonda pas nisjes së meçit, ndërsa shqiptari e dërgoi sërish në tapet britanikun para përfundimit të raundit të parë, duke lënë të kuptohej se një sensacion ishte pranë.

Megjithatë, Joshua reagoi fuqishëm në raundin e dytë, ku riktheu kontrollin e duelit dhe e mbylli përballjen me nokaut teknik.

Usyk nuk i fshehu emocionet

Në tribunë ishte i pranishëm edhe kampioni ukrainas Oleksandr Usyk, rivali i dikurshëm dhe tashmë mik i Joshuas.

Kamerat kapën momentin kur, pas nokautit të Joshuas, Usyk mori frymë thellë dhe shfaqi një lehtësim të dukshëm në fytyrë. Reagimi i tij u bë menjëherë viral në rrjetet sociale.


"Fytyra e tij tregoi gjithçka", shkroi një tifoz. Një tjetër komentoi: "Usyk mori një frymë të madhe lehtësimi."

Ndërsa një përdorues tjetër i rrjeteve sociale shtoi: "Mund të shihet qartë se ai kujdeset sinqerisht për Joshuan".


Rikthim pas një periudhe të vështirë

Ky ishte meçi i parë i Anthony Joshuas që nga aksidenti tragjik me makinë në Nigeri, ku humbën jetën dy miqtë e tij të ngushtë, Sina Ghami dhe Latif "Latz" Ayodele.

Pas fitores, Joshua u emocionua teksa ua dedikoi suksesin miqve të ndjerë.

"Kjo ishte më shumë sesa fuqi goditëse. Ishte shpirti i Latzit, i Sinas dhe i familjeve të tyre. Më dhemb edhe ta flas këtë. Ka qenë një periudhë shumë e vështirë", deklaroi Joshua.

Fitorja ndaj Prengës i hap rrugën britanikut për superduelin e shumëpritur me Tyson Furyn, i cili pritet të zhvillohet në fund të këtij viti. Fury nuk ishte i pranishëm në "Jeddah Superdome" për ta ndjekur meçin. /Telegrafi/