Please enter at least 3 characters.

Reagim i menjëhershëm i Policisë, një grua shpëton nga mbytja në lumin Ibër

Falë reagimit të shpejtë të Policisë së Kosovës, një qytetare është shpëtuar mbrëmë nga mbytja në lumin Ibër.

Sipas njoftimit zyrtar, rreth orës 22:00 Policia në Mitrovicë ka pranuar informacion se një person i gjinisë femërore kishte rënë në lumin Ibër, në afërsi të urës së re në rrugën “Lah Nimani”, dhe ndodhej në rrezik për jetën.

Njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku në shtratin e lumit kanë gjetur qytetaren në gjendje të rënduar shëndetësore. Policia ka arritur ta nxjerrë atë nga uji, duke evituar rrezikun e mëtejmë.

Viktima është dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Mitrovicës, ku, sipas mjekëve, gjendja e saj shëndetësore është stabile dhe jashtë rrezikut për jetë. Sipas deklaratës së saj, ajo kishte rrëshqitur aksidentalisht dhe kishte përfunduar në lumin Ibër.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se po ndërmerren veprimet e nevojshme hetimore për sqarimin e plotë të rrethanave të këtij rasti. /Telegrafi/