Rasti i gazetares Liridona Vejseli, SHGM: Gjykata solli një vendim problematik të shkallës së parë për lirinë e shprehjes
Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë (SHGM) ka reaguar ndaj rastit të gazetares Liridona Vejseli, pasi e njejta u gjobit me 700 euro për shkak të përmendjes së emrit të një gjyqtari.
Në aktgjykim, gjykata thekson se:„Vejseli është fajtore sepse më 28.10.2024, në kundërshtim me kushtet e përcaktuara me ligj dhe pa pëlqimin e gjyqtarit të dëmtuar, ka përdorur të dhënat e tij personale në atë mënyrë që në rrjetet sociale Instagram dhe TikTok ka publikuar video në të cilat ka keqpërdorur të dhënat personale të gjyqtarit të dëmtuar, emrin dhe mbiemrin e tij, me ç’rast i ka dëmtuar nderin dhe reputacionin, si dhe veprimtarinë e tij profesionale që e ka ushtruar si gjyqtar në Gjykatën Themelore në Tetovë për më shumë se 37 vjet.”
SHGM në reagimin e tyre vlerëson se ky aktgjykim i shkallës së parë dërgon një sinjal shumë të keq për lirinë e shprehjes në vend.
"Ndjekja penale e gazetarëve për publikimin e emrit dhe mbiemrit të personave publikë, veçanërisht të gjyqtarëve, rrit presionin mbi gazetarinë dhe të drejtën e publikut për t’u informuar", thuhet në reagim.
Nga ana e SHGM-së i është ofruar ndihmë juridike Vejselit dhe procesi do të ndiqet me kujdes në procedurën ankimore.
"Ekziston mundësia për korrigjimin e aktgjykimit nga gjykatat më të larta, por ky rast edhe një herë thekson problemin e procedurave të izoluara gjyqësore që mund të veprojnë si presion ndaj mediave. Emri dhe mbiemri i një gjyqtari janë të dhëna publike dhe është absurde që publikimi i emrit dhe mbiemrit të një gjyqtari konkret të trajtohet si shkelje e së drejtës së privatësisë.
Për rikujtim, gjatë vitit 2025 janë regjistruar disa raste që tregojnë se vendime të caktuara gjyqësore mund të ndikojnë drejtpërdrejt në lirinë e mediave. SHGM mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e gazetarëve dhe të drejtës së tyre për informim të lirë dhe të sigurt të publikut", thuhet në reagimin e SHGM-së.


