Please enter at least 3 characters.

Rasti i dhunimit të së miturës në veri të Mitrovicës, arrestohet i dyshuari 

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ka arrestuar të dyshuarin për rastin e dhunimit të një së miture në veri të vendit.

Në njoftimin e Policisë thuhet se më datën 29.07.2025, rreth orës 00:45, në rrugën “Serdara Janka Vukotića” në Mitrovicë Veri është pranuar informatë për përdorim të substancës së dyshuar narkotike nga disa persona.

“Njësia policore ka shkuar në lokacion dhe në një lokal – furrë buke kanë takuar tre persona: një mashkull dhe dy femra. Të tre personat janë shoqëruar në stacion dhe janë intervistuar.

Gjatë procedurës së intervistimit është kuptuar se i dyshuari me viktimën, e cila ka qenë e mitur, para disa ditësh kishin pasur marrëdhënie seksuale. Pas konstatimit se viktima është e mitur, është kontaktuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar inicimin e rastit si ‘Dhunim’”, thuhet në njoftim.

Njësia e hetimeve të stacionit dhe njësia e hetimeve rajonale Mitrovicë Veri janë marrë me rastin dhe me udhëzimin e prokurorit kujdestar, rasti është iniciuar si “Dhunim”.

Në lidhje me rastin, i dyshuari M.C. (21 vjeçar) me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Policia apelon te të gjithë qytetarët për bashkëpunim dhe rithekson përkushtimin e saj në luftimin e çdo dukurie që bie ndesh me ligjin. Çdo rast do të trajtohet me seriozitet dhe përgjegjësi, duke u siguruar që shkelësit e ligjit të përballen me drejtësinë. /Telegrafi/